Kisha e Shën Marisë në Maligrad

“Një destinacion turistik dhe religjioz”

Antonio Poshnjari, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz

Kisha e Shën Marisë ruhet akoma e kësaj dite në gjëndje të mirë. Është e ndërtuar në një shpellë të lartë brenda në një guvë shkëmbore dhe vendodhja e kësaj kishe të mrekullueshme ndodhet në ishullin e liqenit të Prespës pranë fshatit Pustec pjesë parkut kombëtar1. Liqeni i Prespës ndodhet 853 m mbi nivelin e detit dhe është i rrethuar nga malet Pireneje, mali Baba (Varnounta) dhe mali i Ivanit (Libaniskos) dhe përbëhet nga Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël të cilat komunikojnë ndërmjet tyre përmes një kanali të ngushtë2.

Turistët vendas ose të huaj mund ta vizitojnë duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas, ku për t’u futur në ishull përdoren varkat e peshkatarëve. Rajoni i liqeneve të Prespës, i cili është i ndarë midis tre shteve, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, është një zonë e mbrojtur ndërkufitare, e themeluar më 2 shkurt të vitit 2000, me një Deklaratë të përbashkët të kryeministrave të të tri vendeve fqinje. Rajoni përbën një park natyror shumë të rëndësishëm, për shkak të biodiversitetit dhe specieve endemike të pranishme në të. Në të njëjtën kohë, zona e Prespës është e pasur edhe me monumente historikedhe një nga ato që do shikojmë në këtë temë është Kisha e Shën Marisë. Në liqenin e Prespës ndodhen tre objekte me vlera shpirtërore – fetare, artistike si përshembull në Maligrad, përveçse kishës ndodhet shpella e Trenit, dhe Shpella Eremite4. Në këtë ishull janë gjetur objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit5. Sipër ishullit ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI dhe kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat fisnik të ndryshëm6. Por jo vetëm, në këtë kishë ka patur jetë asketike murgjërore, që jetonin një ose dy heremit ose siç quhet “idiorritmik” një formë e jetës monastike në krishterim7, sepse ushtrohet në zona të mënjanuara pranë liqeneve, shpella të thella ose nëpër malet të larta8 madje në këto brigje shkëmbore të liqenit të Presëpës përbënin një strehë për murgjit eremit, të cilët ndërtuan kapelat dhe banesat e tyre pikërisht këtu9. Të tilla kisha i gjejmë të quhen me termin nga greqishtja Katholikoni, që do të thotë kisha qëndrore e manastirit, ose të një skiti (manastir i vogël)10. Është një kishë me histori të hershme dhe e shikojmë në mbishkrimet që gjenden në këtë kishë që i përkasin periudhave të ndryshme.

1. Historia e ndërtimit

Planimetria dhe fazat e ndërtimit

    Sipas mbishkrimi të parë mendohet të jetë ndërtuar për herë të parë në vitin 134511, mbishkrim thotë: “Lutje e shërbëtorit të Perëndisë Bojkut dhe Evdhoksisë shumë fisnike dhe të bijve të saj, Kunga është pikturuar prej tyre në vitin 6853 ose viti 134512. Pra sipas kësaj date mësojmë është ndërtuar në këtë vitë. Ky mbishkrim është shkruar rreth apsidës në një rresht, brenda kungës së kishës13. Por kisha ka edhe një rindërtim në vitit 1369, nga fisniku dhe qeveritari i kësaj zone Çezar Novaku14. Ai ishte një fisnik nga Serbia i shekullit të XIV-të që mbajti rajonin e Liqenit të Prespës gjatë Perandorisë Serbe të Uroshit në vitet 1355-1371. Ai mbante titullin Cezar, dhe për këtë arsye njihet edhe si Çezar Novaku15. Këtë e vërtetojmë nga mbishkrimi: “I gjithlumturi Qesar Novaku”, gjithashtu janë përmendur edhe pjestarët e familjes së tij: “Shumëfisnikja Kesarisa, zonja Kali, Shumëfisnikja zonja Mari, bija e tij, i gjithlumturi Amiral, biri i tij”16. Ky mbishkrim është i përbërë prej katër sinjaturash të shkruar pranë portreteve të personave të pikturuar në fasadën e kishës17.

    Planimetria e kishës është drejtkëndëshe në formën e një bazilike të vogël me përmasa 4,60×3.30m, është njënefshe e mbuluar me qemer cilindrik të mprehtë e çati dyujëse të pjerrët18. Hyrja për në kishë është në murin perëndimor nëpërmjet një porte dykanatëshe druri të gdhendura. Mbi të është një nike e harkuar, që bën të duket më e lartë porta e ulët. Kisha ndriçohet nga tri dritare, njëra katrore për mjedisin e altarit të shenjtë, ndërsa dy të tjerat, njëra sipër tjetrës, për të ndriçuar naosin. Më në perëndim të kishës është një nike e gjerë, e mbuluar edhe ajo me hark tullash. E poshtmja është katrore dhe është hapur vonë, me murosjen e një porte të vjetër. Naosi ndahet nga mjedisi i altarit me dy ikonostase druri të gdhendur19. Ikonastasi më i ri është vendosur në vitin 1604, ndërsa i pari është i vitit 1345 në fazën e parë të ndërtimit të kishës. Ndërsa siç thamë më lartë në vitin 1369 kisha rindërtohet përsëri nga Çezar Novaku20 sigurisht këtë e vërtetojnë dhe mbishkrimet që kisha ka duke dëshmuar: “U grit prej themeli dhe me përpjekje e mundime ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i së Përmbishenjtës Zonjës sonë Perëndilindëse Mari dhe u pikturua prej zotit të tij të gjithlumtur Qesar Novakut, në kohën kur ishte Igumen Jonaj ose Jonai, në kohën e sundimit të gjithlartit Kral Velikashinit dhe të kryesimit të Kryepeshkopatës së Justinianës së parë, viti 6877 ose viti 139621. Ky mbishkrim është pikturuar mbi pjesën jugore të faqes së murit perëndimor brenda në kishë22.

    Një tjetër mbishkrim që mendohet nga studiuesit që është i vitit 1396 dhe pse ky mbishkrim nuk ka të shënuar datën, shprehet kështu: “Këtë shtëpi Ati e ndërtoi, këtë shtëpi Biri e përforcoi, këtë shtëpi Shpirti i Shenjtë e përtëriu, Ai që ndriçon dhe përforcon dhe shenjtëron shpirtrat tanë”23. Ky mbishkrim me ngjyrë të zezë dhe në fushë të bardhë është shkruar mbi faqen e brendshme të murit jugor të kishës24. Duhet të dimë sipas studiuesve, kisha ishte e ulët, e mbuluar me çati dyujëse mbi strukturë druri dhe me mure prej guri të papunuar dhe të lidhura me llaç balte. Në fazën e dytë u ngritën muret në lartësi dhe kisha u mbulua me qemerin cilindrik në nivel më të lartë. Muret e kësaj kohe jane të lidhura me llaç gëlqereje dhe me tulla. Muret në anën perëndimore dhe atë jugore suvatohen, duke mbuluar edhe murin e zbukuruar me dy breza me tulla, të vendosura në formë kurriz peshku në anën jugore, ndërsa ana perëndimore është pikturuar25. Si përfundim për të mbyllur këtë kapitull themi sipas studimeve që janë bërë, mund të ketë ekzituar një kishë më përpara, dhe më pas kemi një rindërtërtim në fazën e parë të vitit 1369 në kohën e Çezar Novakut.

    2. Trashëgimia artistike

    Afresket, pikturat murale

    Kisha e Shën Marisë është e pasur me afreske murale të bukura dhe shumë ngjyrëshe që plotësojnë muret e kishës si nga brenda dhe jashtë dhe që i përkasin kohëve të ndryshme të pikturimit duke filluar nga viti 1345 dhe e dyta në vitin 136926 ndërsa në tretën viti 160727. Me interes theksojmë sipas studimeve dhe burrimeve, se në këtë kishë do shikojmë që është i njëjti piktor që ka pikturuar këtu, në Mborje të Korçës dhe në Shën Thanas të Kosturit2829. Ndërsa në pikturat murale e fazës së dytë, për sa i përket gjallërisë së kompozimeve, lëvizjes së fytyrave, ekspresivitetit të portreteve dhe dendësisë së ngjyrave, konsiderohet si shembull tipik i shkollës së artit të Rilindjes së Paleologëve të shek. XIII-XIV. Sipas studimive të Prof. E. Tsigaridas, skenat e kishës së Maligradit i përkasin së njëjtës traditë ikonografike të monumenteve që janë pikturuar nga atelietë e Selanikut, të periudhës së parë të Paleologëve30.

    Pikturat e vitit 1345:
    1. Platitera
    2. Mbishkrimi
    3. Moment nga Liturgjia e Hyjnore (?) , mund të jetë skenë nga moment i kungimi i apostujve në darkën mistike
    4. Ungjillizimi
    5. Shën Stefani
    6. Shën Laurenci
    7. Ngjitja në qiell
    8. Etërit e kishës
    9. Shën Damiani
    10. Shën Kozmai
    11. Shën Dhimitri
    12. Kryengjëlli Mihail
    Pikturat e Vitit 1369:
    1. Shën Joakimi
    2. Shën Anna
    3. Mandilionet
    4. Deisis
    5. Shën Simeon Stiliti
    6. Shën Parashqevia
    7. Mbishkrim
    8. Shën Nestori
    9. Shën Theodhori Stratilati
    10. Shën Theodhori Tiron
    11. Shën Kostandini dhe Helena
    12. Shën Katerina
    13. Shën Varvara
    14. Dekoracion
    15. Shën Grigor Theologu
    16. Shën Grigor Armeni
    17. Shen Silvesteri
    18. Shën Minal
    19. Shën Merkuri
    20. ? Nuk indetifikohet
    21. Pikturë e dëmtuara
    22. . Shën Aleksandri
    23. Mbishkrim
    24. Shën Androniku
    25. Shën Oresti
    26. E panjohur
    27. Shën Mërkuri
    28. Nuk indetifikoht
    29. Të panjohura
    30. Shën Gjermanoi
    31. Shën Grigori
    32. Krishti para Kajafës dhe mohimi Pjetrit
    33. Krishti para Pilatit
    34. Tallja
    35. Rruga e Kryqit
    36. Fjetja e Shën Marisë
    37. Kryqëzimi
    38. Gratë mbi varr
    39. Zbritja në ferr
    40. Lindja
    41. Paraqitja
    42. Pagëzimi
    43. Ngjallja Llazarit
    44. Hyrja në Jeruzalem (E Diela e Dafinave)
    45. Shpërfytyrimi
    46. Tradhtia e Judës Iskarioti
    Pikturat e në muret e jashtme, viti 1369:
    1. Zbukurime dekorative
      1. Krishti duke bekuar
      1. Shën Maria
      1. Sundimtari i zonës Çezar Novaku
      1. Kalia, bashkëshortja e Novakut
      1. Maria, vajza e Novakut
      1. Amiralis, djali i Novakut
    Pikturat e vitit 1607:
    1. Lindja e Shën Marisë
    2. Gjykimi i fundit

    Në total janë 67 piktura murale brenda dhe jashtë kishës31. Nga piktura e vitit 1345 kanë mbijetuar skenat dhe figurat shenjtorëësh si përshembull: Platitera e Hyjëlindëses Mari me Krishtin e vogël dhe skena e Episkopëve në Liturgjinë Hyjnore (por në fakt janë 12 apostujt e Krishtit duke u kunguar, pra duke marrë Turpin dhe Gjakun e Krishtit në Altar) në apsidën qendrore; dhiakonët si Shën Stefani Martir i parë dhe Laurenti në protezisin dhe dhiakonikon që janë pjesa e brendëshme e altarit. Kemi Ungjillëzimin në përmasa të reduktuara në të dy anët e absidës qendrore; dhe Ngjitja e Krishtit (Analipsi) në pjesën e sipërme të murit lindor32.Në muret veriorë dhe jugore të ambientit të altarit, ngjyrat e pikturës në këtë pjesë janë shumë të zbehta dhe të paqarta. Pjesërisht të ruajtura në murin verior te naosit janë paraqitur Shën Kozmai dhe Damiani, Shën Dhimitri dhe Kryengjëlli Mihail i paraqitur me uniformë ushtarake33.

    Pikturat e kësaj periudhe dallon për karakterin  e saj kaligrafik dhe dekorativ, tiparet e ashpra të portreteve dhe tonalitetet e buta dhe të zbehta. Sipas studimeve të Profesor Djuric e ka lidhur këtë fazë të pikturës me atë të së njëjtës periudhë në Zemen të Bullgarisë dhe në kishën e Taksiarkëve të Metropolisë në Kostur34. Piktori në vitin 1369, pasi ka përfunduar pikturën e murit lindor në një formë të pazakontë, ka vazhduar në pikturimin e sipërfaqeve të tjera sipas mënyrës normale. Në pikturën e vjetër forma timpani (Daullja e veshit) në murin lindor janë pikturuar Shën Joakimi dhe Shën Ana (Prindërit e Shenjtë të Shën Marisë dhe kisha ortodokse i kremton në 9 shtator) në medaljonin e dy mandilat ose shamit me figurën e Krishtit dhe me sipër lutja – Deisis. Pjesa e poshtme u plotesua me figurat e Shën Simeon Stilitit, Shën e Premtes, Shën Nestorit, Shën Teodor Stratillatit dhe Shen Teodor Tironit (paraqiten si ushtarë romak) në murin jugor dhe Shën Kostandinit i Madh Perandor dhe Helena nëna e tij, Shën Katerina dhe Shën Varvara në murin perendimor. Në nivelin e mesëm janë gjashtëmbëdhjetë medaljone rrethore me paraqitje martirësh me gjysmë trupi35.

    Pjesa sipër e mureve dhe e qemerit paraqet ngjarje nga jeta e Krishtit. Leximi i skenave fillon në pjesën e sipërme të këndit jugor me lindjen, pagëzimi, ngjallja e Llazarit, Hyrja në Jerusalem, Metamorfoza në Malin Tabor dhe tradhëtia e Juda Isakrioti; dhe vazhdon në të njëjtin drejtim në regjistrin e dytë me Krishtin i paraqitur para Kajafës që ishte Kryeprifti i Tempullit, ku gjithashtu paraqitet edhe mohimi i Pjetrit, Gjykimi i Pilatit, Tallja, Mbajtja e Kryqit deri Golgotha (Vendi i Kafkës), Kryqëzimi, Grate Mirroprurëse që shkuan ditën e tretë në varr dhe Zbritja në Ferr36. Në majën e fasadës perëndimore paraqitet Krishti me duart e hapura duke dhëne bekimet dhe poshtë tij familja e Qesar Novakut sundimtari i zonës. Në qendër të kësaj skene familjare qëndron Shën Maria, duke mbajtur Krishtin me të dy duart. Në të djathtë të saj paraqiten Qesar Novaku dhe gruaja e tij Kalia dhe në të majtë të saj dy fëmijët e tyre Maria dhe Amirali; të katërt kanë paraqitje aristokrate, dhe qëndrojnë frontalisht, lehtësisht të kthyer drejt figurës qendrore të Shën Marisë dhe me duart e shtrira drejt saj37.

    E gjithë pjesa e poshtme e fasades perendimore është e mbuluar me pikturat e vitit 1607. Në niken mbi porten hyrëse paraqitet skena e Lindjes së Shën Marisë ndërsa në pjesën e mbetur trajtohet Gjykimi i Fundit kur Krishti do të vi në ardhjen e dytë. Në një cep mbi niken është një miniaturë e Krishtit në mes të një medaljoni, me apostujt që i qëndrojnë pranë38. Në krahasim me fazën e parë, piktura e vitit 1369 është më e pasur nga pikëpamja biblike dhe më e përparuar nga pikëpamja stilistikore. Kompozimi bëhet më dinamik, figurat kanë fituar lëvizje, dhe mbizotërojnë linjat e lakuara dhe arrijnë perfeksionin e tyre në skenën e Kryqëzimit, karakteristikat dhe gjestet bëhen me ekspresive, ngjyra është forcuar dhe ka më gjallëri. Si rrjedhojë ajo shfaq një seri të tipareve mbizotëruese të pikturës së kësaj periudhe. Cilësia e lartë artistike e lejon pikturën që të vlerësohet si përfaqësuese ekzemplare e stilit paleolog në përgjithësi dhe e Shkollës së Maqedonisë në veçanti39  që përfaqësohet me mjeshtrin e madh Emanuel Panselinos.

    Përfundimet

    Kisha e Shën Marisë është ndërtuar brenda një shpellë të madhe në ishullin shkëmbor dhe të pabanuar të Maligradit, në liqenin e Prespës së Madhe, pranë fshatit Pustec. Kisha është e tipit bazilikal njënefësh, me përmasa të vogla dhe e mbuluar  me qemer gjysmëcilindrik.

    Sipas mbishkrimeve të ruajtura ktitorike ose dhuruesit, kisha është ndërtuar dhe pikturuar fillimisht në vitin 1344/5 nga Bojko dhe gruaja e tij, Evdhokia, së bashku me fëmijët e tyre. Në fazën fillestare të ndërtimit, kisha ishte një bazilikë njënefëshe, me çati të ulët dhe në vitin 1368/9, kisha u rinovua dhe u pikturua nga sundimtarit i rajonit Çesar Novaku. Gjatë rinovimit kisha u bë më e gjatë, çatia prej druri u zëvendësua nga një qemer gjysmëcilindrik dhe u pikturua brenda dhe jashtë.

    Atelieja që ka pikturuar afresket e kishës duket se është e njëjtë dorë me atë që ka punuar në kishën e Ristozit në Mborje në vitin 1390, si dhe në kishën e Shën Athanasit në qytetin e Kosturit, e cila u ndërtua në vitin 1383/84. Skenat e kishës së Maligradit i përkasin së njëjtës traditë ikonografike të monumenteve që janë pikturuar nga atelietë e Selanikut, të periudhës së parë të Paleologëve dhe stilit të shkollës Maqedonase. Në total janë 67 piktura murale brenda dhe jashtë kishës.            

    Kisha dhe ishulli ndikojnë në turistët vendas dhe të huaj prandaj ndër vite është kthyer në një nga destinacionet turistike dhe religjioze më të vizituara. Prandaj qëllimi i temës që prezantuam ka si qëllim të informojë në metodën historike dhe kulturore të këtij monumenti të hershëm që ndodhet në rajonin e Korçës.

    Bibliografia
    1. Eleni Michou, Andi Rembeçi, Orfea Beçi. Shtigje Pelegrinazhi dhe Pelegrinazhe në Greqi (Promovimi dhe shfrytëzimi). Redaktuar nga Christina Matiaki Georgios D. Kapsalis. Prosfora: Interreg- IPA CBC Greece-Albania.
    2. Georg, TR Georgevitch. Macedonia – Classic Reprint. London: Forgotten Books, 2018.
    3. Giakoumis, Dr. Georgios K. «Manastiret dhe murgjëria në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë (Shek. VII-XIV).» Redaktuar nga Andi Rembeci. Art dhe Trashëgimi: Trashëgimia Ortodokse e Shqipërisë (Shoqata Franko-Shqiptare Argjiro dhe Qëndra e Studimeve Albanologjike), Dhjetor 2016: 73-77.
    4. Gjika, Ilirjan. Guide book to Korça. Tiranë: Mediaprint & Blue Agency, 2018.
    5. Likaj, Prof. dr. Ethem, re. Shqipëria Turistike – Natyrë dhe Trashëgimia Kulturore. Editions ELLA 413 34 Greece, 2004.
    6. Meksi, Aleksandër. Kishat e Shqipërisë – Histori, Arkitektura, Shek IV-XV. Redaktuar nga Asije Hoxha. Tiranë: Plejad, 2022.
    7. Popa, Theofan. Mbishkrimet të Kishave të Shqipërisë. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, 1998.
    8. Saracini, Klotilda. «Kisha e Shën Marisë në ishullin e Maligradit/ Guri i çmuar i Prespës.» Angjencia Telegrafike Shqiptare (Agjecia Telegrafike Shqiptare), Qeshor 2021.
    9. Thomo, Pirro. Përmbledhje artikujsh e kumtesash. Redaktuar nga Mimoza Zereci. Tiranë: Kristalina- KH, 2020.
    10. Foto nga Religious Routes.eu. https://religiousroutes.eu/sq/destination/kisha-e-lindjes-se-hyjlindeses-mari-brenda-nje-guve-shkembore-ne-ishullin-e-maligradit-ne-liqenin-e-prespes-se-madhe/

    1 Shqipëria Turistike – Natyrë dhe Trashëgimia Kulturore. Editions ELLA 413 34 Greece, 2004, fq. 251-252

    2 Eleni Michou, Andi Rembeçi, Orfea Beçi a.d., fq. 101.

    3 Ibid.

    4 Gjika 2018, fq. 211

    5 Saracini 2021

    6 Ibid.

    7Merriam-Webster.com Dictionary, s.v. “idiorrhythmic,” accessed December 22, 2022, https://www.merriam- webster.com/dictionary/idiorrhythmic.

    8 Giakoumis 2016, fq.73-77

    9 Thomo 2020, fq. 126

    10 Giakoumis 2016, fq. 76

    11 Thomo 2020, fq.116

    12 Popa 1998, fq. 149

    13 Ibid.

    14 Meksi 2022, fq.369-370.

    15 Georg 2018.

    16 Popa 1998, fq. 151

    17 Ibid.

    18 Meksi 2022, fq.369

    19 Ibid.

    20 Ibid.

    21 Popa 1998, fq. 150.

    22 Ibid.

    23 Ibid.

    24 Ibid, fq. 151

    25 Meksi 2022, fq. 371

    26 Ibid, fq. 370

    27 Thomo 2020, fq.117

    28 Ibid, fq. 115

    29 Meksi 2022, fq. 370

    30 Eleni Michou, Andi Rembeçi, Orfea Beçi a.d., fq. 104

    31 Thomo 2020, fq. 116-117

    32 Ibid, fq. 117

    33 Ibid, fq. 119

    34 Ibid, fq. 120

    35 Ibid, fq.126-127

    36 Ibid.

    37 Ibid.

    38 Ibid.

    39 Ibid.

    Turizmi në Shpat

    Elisabeta Shqau, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz

    Shpati i Epërm shquhet për potencialin turistik, falë shumë faktorëve: monumenteve të kulturës, kishave, siteve arkeologjike, pozitës gjeografike të favorshme, larmisë së mikroklimës, pasurive të shumta ujore, larmisë së formave të relievit, të shoqëruara me një botë të pasur bimore e shtazore.

    Ajo çfarë e bën më atraktive këtë zonë për një pelegrin janë gjurmët e krishtërimit që i gjen në shumë kisha ekzistuese dhe rrënoja, thuajse në çdo fshat.  Kjo zonë është një mundësi e mirë për zhvillimin e  turizëm pasi të gjithë këta faktorë vërtetojnë vlerat e mëdha  të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

    Kishat monument kulture të Shpatit

    Kisha e shën Nikollës, Shelcan

    Fshati Shelcan ndodhet në afërsi të qytetit të Elbasanit. Në këtë fshat të zonës së Shpatit ndodhet Kisha e Shën Kollit e cila i përket shekujve XV-XVI. Kisha është e përbërë nga afreske të cilat janë pikturuar nga dora e ikonografit Onufër në vitin 1554. Krahas mbishkrimeve të shumta që ndodhen në kishën e Shën Nikollës ose Shën Kollit, paraqiten dhe një numër i madh afreskesh me shenjtorë të ndryshëm dhe skena biblike nga jeta kishtare. Muret e kishës janë të ndara në katër breza. Në brezin e parë janë paraqitur dekoracione mandili.

    Në brezin e dytë, i cili është sipër brezit të parë, janë paraqitur shenjtorë të ndryshëm me gjithë trupin e tyre. Brezi i tretë është i përbërë nga shenjtorë që paraqitet koka dhe trupi, ose ndryshe janë paraqitur shenjtorët me bust. Në brezin e katërt dhe të fundit janë paraqitur skena biblike nga jeta kishtare. Në Kishën e Shën Nikollës ndodhen disa mbishkrime ku flasin për ikonografinë dhe kohën kur janë pikturuar këto afreske, gjithashtu në këto mbishkrime janë paraqitur dhe fragmente nga psalmet e Davidit, lutje që i përkasin jetës liturgjike, si lutja nga mesha e Shën Joan Gojartit. Ekzistojnë edhe lutje nga mesha episkopale dhe psalme të cilat janë shkruajtur në pjesë të ndryshme të Kishës.  Kjo kishë u regjistrua dhe u shpall monument kulture në vitin 1948.

    Kisha e Shën e Premtes në Valësh

    Fshati i Valëshit gjendet në krahinën e zonës së Shpatit, ku në të bën pjesë dhe Kisha e Shën e Premtes. Afresket, të cilat e karakterizojnë këtë kishë, janë pikturuar nga ikonograf Onufri në vitin 1554. Në mbishkrimet që gjenden në këtë kishë, tregohet se Onufri ka qenë klerik, prift i parë.  Në pjesën qëndrore është pikturuar Krishti i cili i tregon rrobën e shqyer Pjetrit të Aleksandrisë. Gjithashtu paraqet dhe Krishtin në varr, si edhe Shën Stefani, dëshmori i parë i cili është duke vështruar Krishtin.  Gjithashtu nuk mungojnë skena të ndryshme biblike, si: Darka Mistike, Krishtlindja, Kryqëzimi, Hyrja në Jerusalem, Ungjillëzimi, etj. Krishtërimi në Shpat ka gjurmë shumë më të thella. Informacionet e para të krishtërimit të hershëm në këtë zonë i kemi nga gjetjet arkeologjike, ku janë zbuluar varre (Byshek, Shelcan) ku si mbulesë janë përdorur tjegulla të sheshta  dhe dimensione të mëdha, tipike të kësaj periudhe. Në çdo cep që do të shkelnin pelegrinët do të gjenin gjurmë të besimit të krishterë dhe do të kuptonin që ky besim ka rrënjë të thella në këtë zonë e cila dëshmohet nga një numër i konsiderueshëm Kishash, të ndërtuara në periudha të ndryshme historike.

    Kisha të tjera në Shpat

    1. Shën Marena në Mlizë
    2. Shën Maria në Lleshan
    3. Shën Stefani në Dërstilë
    4. Shën Athanasi, shën Marena, Ngjitja e Zotit në qiell në Gjinar.
    5. Shën Llazari në Pashtresh
    6. Shën Gjergji në Zavalinë
    7. Shën Maria në Seltë
    8. Shën Martini, Joronisht
    9. Kisha e Anargjendëve Kozma e Damian në Stërstan

    Duke qenë një zonë me tradita orthodhokse sigurisht që nuk do të mungonte prezenca e shumë Kishave. Në çdo fshat ka një Kishë dhe zhvillohet një panair që mbledh të tërë fshatrat përreth. Një pelegrin do të ishte i interesuar t’i vizitonte pothuajse të gjitha këto Kisha dhe të merrte informacionin e duhur për historinë,  kremtimet gjatë mbledhjet adhuruese dhe festimeve që pasojnë pas Liturgjisë.

    Sapo kalon Elbasanin dhe futesh në fshatin Mlizë gjen Kishëzën e shën Marenës që feston me 30 korrik, (kalendarin Julian), më pas ngjitesh në kishën e shën Nikollës në Shelcan, (15 maj)  vijon në kishën e shën Marisë në Lleshan, (28 gusht)  në shën Stefan në Dërstilë (9 janar) dhe ndalon në Gjinar në kishën e shën Athanasit, (31 janar) Ngjitjes, (40 ditë pas Pashke)  më pas vijon në shën Marenë (30 korrik), shën Llazari (të shtunën para të dielës së Dafinave), shën Gjergji (6 maj), shën Maria (28 gusht), shën Kozma e Damian (14 korrik), Kisha e shën Martinit, Joronisht, 12 nëntor.

    Ndër Kishat që janë përmendur më lart, Ngjitja e Zotit Krisht është ndërtuar e re, në vitin 1997, dhe e shën Gjergjit Zavalinë, ndërsa kisha e shën Marenës Mlizë, shën Marisë në Seltë, e shën Llazarit në Pashtresh dhe shën Kozma dhe Damian në Stërstan, shën Martinit Joronisht  janë Kisha ekzistuese që i kanë shpëtuar persekutimit të egër ateist. Kisha e shën Kozma dhe Damian është e pajisur edhe me afreske por nuk është futur në radhët e monumenteve të kulturës fatkeqësisht.

    Kisha e shën Marisë në Lleshan ekziston si rrënojë. Kisha e shën Stefanit, e shën Thanasit dhe shën Marenës janë ndërtuar në formë paraklisi të vogla dhe funksionojnë vetëm ditët e panairit.

    Gjinari

    Përveç pasurisë së madhe kulturore Gjinari, i cili mbetet një  ndër pikat më karakteristike turistike të Elbasanit që  shtrihet në juglindje të tij,  me një lartësi 900 m mbi nivelin e detit, ndërsa maja më e lartë 1850 m, pa ekzagjëruar do të quhej si mushkëria e qytetit dhe ofron një mundësi të mirë për turizmin malor,  të dëborës,   aventurës, piknik, ecje, ski, hiking, etj.

    Falë bujarisë së natyrës në këtë zonë gjejmë një florë dhe faunë shumë të pasur. Pyjet e gjera të ahut, pishës, bredhit i japin strehë ketrit, ujkut, dhelprës dhe arushës. Klima dhe resurset natyrore ofrojnë turizëm të shkëlqyer si gjatë verës ashtu edhe në dimër.

    Disa nga atraksionet e Gjinarit

    Dushku i Lleshanit

    Rrugës për Gjinar gjejmë dushkun gjigand të Lleshanit, monument natyre 300 vjeçar. Dushku gjigand i Lleshanit, për të cilin ekziston edhe një legjendë: “Kjo madhështi lindi nga flijimi i një foshnjeje me një lende dushku në grykë. Nëna dhe babai bënë të pamundurën për foshnjën e tyre të vogël që ta kthenin përsëri në jetë, por jo…! Foshnja do  të ishte krijesa e kësaj peme madhështore, që populli e mbron, i shërben dhe e respekton si të ishte një gjë e gjallë, këtë monument natyror me shumë vlera”.  Ka një lartësi rreth 21 m, dhe mosha e tij është 300-vjeçare. Tashmë ai është një monument natyror dhe në çdo kohë pret me dhjetëra vizitorë apo pushues, të cilët nën hijen e tij shijojnë peisazhin piktoresk që i rrethon. Legjenda e këtij dushku tashmë është kthyer në një vlerë natyrore, e cila do të mbijetojë edhe për shekuj të tjerë, mbi  kodrinën e vogël të fshatit Lleshan .

    – Varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës) në Valësh: Piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767

    –           Derstilat artizanale në shfatin Dërstilë. Mekanizëm që punon me forcën e ujit. Përpunon (me rrahje e zhytje) pëlhurat e leshta që bëhen në vegjë (tezgjah).

    –           Dushku i Gjinarit, pranë kishës së fshatit me një lartësi prej 22 m dhe moshë 300-vjeçare.

    –           Pishat e Fushë Kuqes, në Gjinar qendër, përbëhen nga drurë të vjetër dhe të rinj, me lartësi 18-20 m, me moshë 149-158 vjet.

    • Aktivitete të tjera

    Lojra olimpike: Në ditët e javës së parë të qershorit të çdo viti, në stadiumin natyror të fushës sportive “Jani Shqau” zhvillohen lojra olimpike, me pjesëmarrje të gjerë edhe nga Elbasani. Zhvillohen gjithashtu festivale folklorike, panaire me prodhime vendase, gatime tradicionale, etj.

    • Gastronomia në Gjinar

    Një udhëtim turistik në Gjinar nuk do të kishte kuptim pa shijuar një drekë me prodhime tradicionale dhe të ofruara me aq dashuri nga restorantet dhe bujtinat e zonës.

    Si zonë malore mishi mbetet një nga produktet kryesore të një tavoline tradicionale. Ndër pjatat kryesore përmendim kalastranin me qull me arra, mishin e kecit dhe të qingjit në hell, mishin e kecit në pus etj. Ndër gatimet e tjera përmendim byrekë me arra, me presh, me hithra, me gjizë, djathë, vezë, oshmar me gjalp, qumështor etj. Në një tavolinë shpatarake nuk mungon rakia e thanës, kumbullës, rrushit, dëllinjës, manaferras. Gjithashtu nuk mungojnë kompostot dhe reçelërat e bëra nga amvisat e zonës me shumë përkushtim si prej ftoi, thane, kumbulle, qershie, manaferra, molle, fiku etj. Të gjitha këto do t’i gjeni tek Bar Restorant Natyra, Endrra, Sofra e Shpatit, Tre Bujtinat etj.

    Përfundimi

    Në Gjinar do të gjeni një zonë turistike të bekuar pafundësisht me burime natyrore dhe me një traditë kulturore dhe  historike shumë të pasur.

    Grupet e turistëve të interesuar për kulturën do të gjenin Kisha për t’u lutur dhe kryer ritualet e tyre fetare, do të mësonin nga udhërrefyesit e grupit për ruajtjen e besimit në këtë zonë si kriptokristianë, ndërtimin e kishave, mbrojtjen dhe përçimin e besimit nga brezi në brez gati me fanatizëm.

    Gjinari mbetet një zonë që edhe kur largohesh fizikisht, ikën me mendimin për t’u kthyer prapë dhe për të shijuar sadopak nga pasuritë e pafundme që të ofrohen bujarisht ky vend.

    Ekspozitë fotografike mbi Turizmin Religjioz

    Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës si dhe Forumi i Turizmit Religjioz të Kolegjit Universitar LOGOS organizon në datën 27 shtator ora 14:00 një ekspozitë fotografike kushtuar Turizmit Religjioz në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit. Ekspozita përfshin fotografi të realizuara nga studentët e diplomuar dhe aktualë të programit pasuniversitar në Turizëm Religjioz.

    Vendet fetare janë fotografuar në mjedisin e tyre natyror në momente të ndryshme të ditës, por edhe momente nga prania e turistëve apo pelegrinëve në destinacione të ndryshme pelegrinazhi.

    Realizimi i Ekspozitës është pjesë e Javës së Turizmit Religjioz e cila organizohet nga Kolegji Universitar LOGOS dhe Forumi i Turizmit Religjioz çdo vit dhe do të jetë e hapur për publikun në hollin e Universitetit nga data 27 shtator deri më 14 tetor.

    Panairi i Shën Marisë së gushtit në Manastirin e ri të Shën Vlashit (15 gusht)

    Në manastirin e ri të Shën Vlashit, Shënavlash, Durrës, në çdo 15 gusht kryhet panairi i “Fjetjes së Hyjlindëses” ose siç njihet ndryshe i Shën Marisë së gushtit. Panairi është një nga tre panairet kryesore të kryera në shekuj në manastirin e vjetër të Shën Vlashit.

    Pas shkatërrimit deri në themele të manastirit nga vala antifetare e regjimit komunist në Shqipëri në vitin 1967 dhe ndalimit me ligj të praktikave fetare,  me çeljen e të drejtës së lirisë së besimit në vitin 1990, nisi përsëri të kryhen panairet në të njëjtin vend, tashmë në manastirin e ri të Shën Vlashit.

    Peligrinazhi historik i besimtarëve e viziton atë gjatë gjithë vitit në datat 10, 11 shkurt dhe 15 gusht, që përkojnë respektivisht me kremtimet panegjirike të Shën Harallambit, Shën Vlashit dhe Shën Marisë.

    Panairi i Shën Marisë së gushtit shënon historikisht numrin më të shumtë të vizitorëve në manastir. Në të marrin pjesë peregrinë dhe vizitorë pa dallim feje, nga vende të ndryshme Shqipërisë si Durrësi, Kavaja, Tirana, Elbasani, Mirdita, shembull i bashkëjetesës ndërfetare ndër shqiptarët.

    Gjithashtu, panairi i Shën Marisë përbën një nga elemetët shpirtërorë të trashëgimisë së pasur të manastirit të njohur për vetitë e tij mrekullibërëse.

    Një pjesë e konsiderueshme e peregrinëve vijnë në vigjilje të kremtimit dhe sipas traditës gdhihen në manastir. Ndërsa të nesërmen, e gjithë bashkësia merr pjesë në meshën panegjirike të celebruar në kishën qëndrore të manastirit për nder të ngjarjes së “Fjetjes së Shën Marisë”. Pas meshës, vizitorët drekojnë dhe vizitojnë kompleksin e pasur të manastirit.

    Kompleksi i manastirit zë 2800 m2 dhe është i rrethuar me mure të jashtme guri. Brenda tij përmban kishën qëndrore, konakët e manastirit, dyqanin me suvenire kishtare dhe shtëpinë e fëmijëve “Shpresa”. Që prej vitit 1996 në manastir ka funksionuar Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, institucion i arsimit të lartë, e cila për tre dekada ka nxjerrë plejadën e klerikëve dhe teologëve të Kishës Orthodhokse.

    I gjithë kompleksi i ngritur i manastirit të ri mbi manastirin e vjetër përbën jo vetëm një nga veprat më të rëndësishme ndërtimore dhe shpirtërore por edhe simbolin e ringritjes nga rrënojat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasi.

    Gjithashtu, ambjentet komode të manastirit, ku strehohet Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës, përbëjnë kampusin numër 2 të Kolegjit Universitar Logos, Tiranë. Në to përfshihen zyrat dhe klasat, konvikti i djemve, biblioteka dhe arkivi me mbi 15.000 tituj librash, menca, holli, kafeneja, salla e aktiviteteve sportive dhe e konferencave dhe ambjente të tjera ndihmëse. Jashtë manastirit ndodhen konvikti i vajzave në një godinë më vete dhe Skiti i Miroprurëseve, një tjetër kompleks tërheqës pranë tij.

    Është bërë traditë që studentët e programeve bachelor në Theologji dhe master shkencor në “Turizëm Religjioz” të marrin pjesë në aktivitetet e kryera me rastin e këtij panairi, ku përfshihet edhe guida për personat që duan të njohin trashëgiminë dhe kontributin bashkëkohor të manastirit të Shën Vlashit.

    Mund të themi me siguri se kremtimi i panairit të Shën Marisë në Manastirin e Shën Vlashit përbën tashmë atraksion real me potencial të larmishëm kulturor dhe religjioz, në të cilit ofrohen shërbime cilësore për vizitorë dhe turistë.

    Dr. Thoma Shkira, Lektor pranë Kolegjit Universitar “Logos”

    Panairi i shën Joan Vladimirit

    Panairi i Shën Joan Vladimirit i mbajtur sivjet në datat 3 dhe 4 qershor, dhe i vendosur në kalendarin e aktiviteteve turistike të Shqipërisë, ka pasur një program të larmishëm aktivitetesh.
    Peregrinë, besimtarë dhe turistë të zonave të Elbasanit dhe më gjerë, duke kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë me besimtarë të Malit të Zi, vizituan që nga mbasditja dhe deri në mesnatë kishën dhe ambjentet e manastirit.
    Përfaqësues nga Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës bënë prezantimin e programeve të studimit dhe ishin të gatshëm për guidë mbi manastirin për vizitorët vendas dhe të huaj.
    Gjithashtu, nga seria e dokumentarëve «Art dhe Trashëgimi» u transmetua dokumentari «Dashuri dhe monumente».
    Agripnia (shërbesa fetare dhe meshë hyjnore) e cila përfundoi pas mesnste dhe u kryesua nga Mitropoliti i Elbasanit Hirësia e Tij Andoni, pati një pjesëmarrje të konsiderueshme të besimtarëve të ardhur nga Elbasani, Tirana dhe më gjerë.
    Të nesërmen pas Meshës Hyjnore u krye në nderim të shenjtit proçesioni i Arkës së Lipsanit të Shën Joan Vladimirit, me pjesëmarrje të lartë të besimtarëve.

    Panairi i shën Joan Vladimirit (3-4 qershor)

    Manastiri i Shën Joan Vladimirit, (Shën Gjonit), në Shijon, Elbasan, çdo 3-4 qershor kremton panairin e shën Joan Vladimirit.

    Manastiri përbën monument të trashëgimisë kulturore që prej vitit 1948 dhe 1971. Të dhënat biografike të shenjtit tregojnë se kisha e parë u ndërtua nga vetë princi Joan Vladimiri, pas një shfaqjeje të mrekullueshme. Ndërsa mbishkrimi tregjuhësh dhe stema princërore e kishës së manastirit, dëshmojnë rindërtimin e tij në vitin 1381 nga princi Karl Topia.

    Në mesjetë, pjesë përbërëse e panairit të Shën Joan Vladimirit ishte edhe kryerja e pazarit 7 ditor me pjesëmarrjen e besimtarëve dhe tregëtarëve të cilit vinin nga shumë vende përtej zonave të Elbasanit, si Korça, Durrësi, Manastiri etj. Manastiri ka qenë i njohur për kompleksin e pasur ku përfshiheshin konakët me shumë dhoma ndenjeje, biblioteka, kisha me mjaft objektesh me ornamente dhe ikona murale dhe të lëvizshme prej piktorit Konstandin Shpatarakut dhe nderimin e arkës së lipsanit të shën Joanit. Manastiri u dogj në vitin 1944 ku humbi pjesa më e madhe e godinave të tij.

    Në mënyrë paradoksale, regjimi komunist, i cili e shpalli zyrtarisht manastirin monument të trashëgimisë kulturore në vitet 1948 dhe 1971, pas valës antifetare të vitit 1967 të shkatërrimit të objekteve dhe ndalimit me ligj të praktikave fetare ndaloi panairin e Shenjtit dhe lejoi vendosjen e një divizioni ushtarak dhe degradimin manastirit deri në vitin 1990. Megjithatë, arka e lipsanit u shpëtua.

    Pas ushtrimit të lirisë së besimit pas viteve 1990, panairi i shën Joan Vladimirit vijon përsëri me pjesëmarrje të lartë të popullit pa dallim feje.  Manastiri i rrënuar, u restaurua dhe ndërtua në vitin 2005 nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. 

    Sot, kompleksi i manastirit përmban kishën e restauruar, konakët e manastirit, ku sot përfshihen bujtinat, menca, biblioteka dhe ambjente ndihmëse, të cilat bëjnë të mundur përmbushjen e nevojave të panairit të shën Joan Vladimirit.

    Peligrinazhi i panairit nis në datën 3 qershor, ku në mbrëmje vijnë besimtarë dhe vizitorë të shumtë dhe sipas traditës ndjekin agripninë, shërbesat fetare dhe meshën e shenjtë. Të nesërmen e datës 4 qershor kryhet përsëri mesha, dhe më pas populli besimtar nëpërmjet një procesioni madhështor, shoqëron me nderim arkën e lipsanit të shën Joan Vladimirit, 3 herë rreth e rrotull. Më pas pjesëmarrësit në panair festojnë duke konsumuar ushqime në pazarin e ngritur posaçërisht për këtë panair duke festuar me këngë dhe sipas mënyrës së tyre.

    Është bërë traditë që studentët e programeve bachelor në Theologji dhe master shkencor në “Turizëm Religjioz” të marrin pjesë në aktivitetet e kryera me rastin e këtij panairi, ku përfshihet edhe guida për personat që duan të njohin trashëgiminë dhe kontributin bashkëkohor të manastirit të Shën Vlashit.

    Dr. Thoma Shkira, Lektor pranë Kolegjit Universitar “Logos”

    Ruajtja e objekteve të kultit Monument Kulture gjatë komunizmit në Berat

    Erilda Krasi, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz

    Periudha e komunizmit, e konkretisht periudha pas shkurtit të vitit 1967, kur Shqipëria u shpalli vendi i parë ateist në botë, është një periudhë e errët në historinë e vendit tonë. Në këtë moment monumentet e  trashëgimisë kulturore religjioze u përballën me një rrezik real, që për disa monumente arriti të kishte edhe pasoja fatale.

    Menjehere pas shpalljes së ‘luftës së hapur’ ndaj besimit, nxënësit e gjimnazeve dhe të rinjtë, të cilëve ‘iu faturua’ kjo nismë, u dërguan të mbledhin ikonat dhe materialet nga monumentet fetare, por edhe nga shtëpitë e njerëzve, për t’u siguruar që  të ‘shkulej nga zemra’ besimi i qytetarëve, me çdo kusht.

    Nisma e të rinjve filloi nga Durrësi dhe u përhap në të gjithë vendin. E njëjta situatë erdhi edhe në rajonin e Beratit, një qytet muze prej vititi 1961, tejet i pasur me trashëgimi kulturore religjioze. Pjesa më e madhe e kësaj trashëgimie religjioze pati ndryshime në pamje, fasada, funksione etj. Ajet Nallbani, në ato kohë nxënës gjimnazist, kujton sesi bashkë me shokët edhe shoqet e klasës u dërguan të mbledhin çdo objekt që përdorej gjatë ceremonive respektive fetare në secilin monument dhe i dërgonin ato pranë aymbienteve te Drejtorisë së Trashëgimise Kultutore.

    Disa monumente u kthyen ne depo, magazina, stalla kuajsh (kisha e Shendelliut), salla kercimi, pika turistike etj. Nje pjese prej tyre u demtuan rende, madje disa u shkaterruan plotesisht. Në raportet e kohës listohet një total prej rreth 2 169 monumente të ndikuara e pothuajse shkatërruara, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj..”

    Pavarësisht luftës agresive të shpallur, pati një pjesë besimtarësh të cilët arritën ta ruanin dhe ta kultivonin besimin e tyre edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ndër problematikat që pushteti i asaj kohe vuri re, ishte respekti dhe kujtimet per funksionin religjioz të këtyre monumenteve nga ana e banorëve, duke sjellë kështu akomë më shumë veprime në shkatërrimin e këtyre monumenteve, duke i tjetërsuar thuajse plotësisht pamjen.

    Më poshtë janë listuar monumentet e modifikuara/tjetërsuara dhe ato të shkatërruara përfundimisht gjatë ateizmit në gjithë rajonin e Beratit.

    Monumentet e kultit me statusin ‘Monument Kulture’, të cilat pësuan ndryshime gjatë periudhës së komunizmit:

    • Kisha e Shën Gjergjit – u shemb kati II, u kthye në pikë turistike të qytetit, mendohet se aty ‘fshihen’ eshtrat e Babë Dudë Karbunarës (dëshmi personale nga banorët e zonës)
    • Kisha e Profetit Ilia- u kthye në repart ushtarak, u zhvesh nga çdo dekor i mundshëm
    • Kisha e Shën Spiridhonit- u hoqën të gjitha ikonat dhe ikonostasi; filloi të përdorej për kultivimin e krimbit të mëndafshit,  mbetën vetëm 4 muret, pa tavan e asgjë tjetër.
    • Kisha e Shën Marisë – në ngjitje të shkembit ne Mangalem, u ça me dinamit për të hapur tunel, dëshmi personale e bashkëjeteses fetare në 1940. Tanimë ka mbetur vetëm një dhomë e vogël.
    • Kisha e Vokopolës- u kthye në magazinë
    • Kisha e Shën Kollit, Perondi- u kthye në depo drithi
    • Kisha e Drobonikut- ku është mbajtur dhe ceremonia e dasmës së Skënderbeut- u kthye në vatër kulture për banorët e fshatit
    Kisha e Shën Marisë, Mangalem

    Monumente kulti të trashëgimisë kulturore të cilat u shkatërruan pltoësisht janë të listuara si më poshtë vijon:

    • Kisha e shën Kollit Sinjë: mendohet t’i perkasë shek XVII-XVIII, ndër kishat e para të prishura në 1967 nga një grup të rinjsh.
    • Kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës, Kondas: 1791, Ikona dhe pjesë ikonostasi ruhen në fondin e Monumenteve të Kulturës së Beratit.
    • Kisha e Shën Thanasit, Vërtop: u shkaterrua ne 1970, ka pasur nje mbishkrim, datonte ne 1806, pikturuar nga Cetirët
    • Kisha ‘Fjetja e Shën Mërisë’, Mbreshtan: daton në vitin 1815 dhe ka qenë një monument me rendesi pasi ka patur të dhëna edhe para viti 1967. Disa ikona të kësaj kishe sot gjenden të ekspozuara pranë muzeut ‘Onufri’
    • Kisha e Shën Sotirit, Konezbaltë: daton 1882.
    Kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës, Kondas: 1791

    Panairi i Shën Joan Vladimirit

    Briken Gjika, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz
    Pamje nga e kremtja e festës së Shën Joan Vladimirit (3 Qershor 2020)

    (Marrë nga faqja e Facebook-ut të Manastirit të Shën Joan Vladimirit)

    Panairi i Shën Joan Vladimirit është një ngjarje e përvitshme festive, e cila zhvillohet në fshatin Shijon të Elbasanit në datat 3-4 qershor. Kjo traditë e nderimit të këtij shenjtori e ka pikënisjen që në një periudhë të hershme. Me shumë gjasa, kjo lidhet me gojëdhënën në të cilën na tregohet se ishte vetë shenjti i cili ndërtoi një kishëz në territorin ku sot gjendet manastiri kushtuar atij. Detaje të rëndësishme gjejmë edhe tek pikturat e arkës së lipsaneve të tij, ku na paraqiten pesë skena të rëndësishme nga jeta e shenjtorit. Në mënyrë të veçantë skena numër 2 dhe ajo numër 4 na japin një panoramë të qartë që me shumë mundësi në territorin ku sot ndodhet manastiri i shenjtit, ka pasur një jetë religjioze të hershme. Në skenën numër 2 paraqitet shenjti i hipur mbi një kalë, duke mbajtur kokën e tij të prerë në dorë. Po aty dallohet çasti ku ai pritet me nderime nga episkopi, klerikë e besimtarë[1]. Skena numër 4 na paraqet momentin kur episkopi dhe klerikët zbresin trupin e shenjtit nga kali dhe e varrosin me nderim[2]. Nëpërmjet këtyre detajeve të sipërpërmendura mund të arrijmë në përfundimin se nderimi i këtij shenjtori në formë të organizuar me klerikë dhe besimtarë daton të paktën që në periudhën kur eshtrat e tij zhvendosen nga Durrësi për në Elbasan nga princi Karl Topia.

    Në vitet më pas, nderimi i Shën Joan Vladimirit vazhdon të ruhet me të njëjtin intensitet në manastirin kushtuar emrit të tij. Nuk kemi shumë të dhëna se si kremtohej panairi që nga shek.XV-XVIII që përkon edhe me shekujt e islamizimit masiv të popullsisë shqiptare. Të dhëna mbi panairin kushtuar shenjtorit na vijnë në shek.XIX nga studiuesi dhe albanologu Johan Georg Von Hahn. Ai na rrëfen se panairi kryhej dy herë në vit në datat 22 maj dhe 4 qershor dhe mësojmë se ky aktivitet zgjaste 3 ditë. Pelegrinët vinin kryesisht nga qytetet përreth. Atyre u sërvirej përpara bukë, ullinj dhe djathë. Pasi ata ishin shlodhur hidhnin një shumë të hollash të cilat mblidheshin nga kujdestari i manastirit[3].  Nga disa të dhëna të tjera mësojmë që panairi kushtuar shenjtorit zgjaste 7 ditë. Ky panair kishte një pjesëmarrje të madhe nga shumë qytete të Shqipërisë dhe jashtë si përshembull Tirana, Durrësi, Dibra, Korça, Berati, Struga, Ohri dhe Manastiri. Gjithashtu mësojmë se ky panair tërhiqte edhe shumë persona me sëmundje të ndryshme që vinin për të marrë shërimet e shenjtit[4]. Si një ndër panairet më të mëdhenj që është zhvilluar ndonjëherë në ambientet e këtij manastiri, mund të përmendim atë të vitit 1935 i cili mblodhi shumë përfaqësues diplomatikë nga shumë shtete ku u kapërcyen edhe kufinjtë ballkanikë. Disa nga këta përfaqësues ishin i gjithë personeli i Legatës Jugosllave, Legata Bullgare, Gjermane, Çekosllovake, Drejtori i Bankës Jugosllave etj. Në këtë të kremte kaq të madhe iu dhurua manastirit një kambanë nga Patriarku i Jugosllavisë Varnava dhe me këtë rast u mbajt një fjalim madhështor nga Kryepiskopi Imzot Visarioni[5]. Në një artikull të revistës “Predikimi” nr.49 të datës 31 maj 1935 na rrëfehet se në këtë periudhë kohore në ambientin e manastirit ka pasur 15 dhoma ku mund të flinin 100 persona[6].

    Përveç aspektit spiritual të nderimit të shenjtit, ky panair shërbente si një ndër panairët më të mëdhenj të vendit tonë, ku kryhej aktivitet tregtar dhe ekonomik. Kjo lidhet edhe me periudhën e zgjatjes së tij deri në shtatë ditë, ku pas dy ditëve që i kushtoheshin tërësisht nderimit të shenjtorit, pesë ditët e tjera liheshin për të kryer një aktivitet të madh tregtimi mallrash dhe kafshësh me tregtarë që vinin nga qytetet rrotull brenda dhe jashtë vendit[7]. Kjo traditë e larmishme e cila mblidhte jo vetëm banorë nga vendi ynë por nga i gjithë rajoni i ballkanit vazhdoi deri në vitin 1964. Në këtë vit na bëhet e ditur në një dokument nga Kryepiskopi i asaj kohe Pais Vodica, i cili njofton kryetarin e Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehun se kryetari i Komunitetit Ekzekutiv të Rrethit, Miti Rapo kishte ndaluar zhvillimin e panairit të shenjtit gjatë atij viti me pretekstin për të shmangur sëmundjen e brucelozës[8].

    Kjo situatë vazhdoi deri në periudhën e demokracisë në Shqipëri, ku në ditët tona panairi vazhdon të kremtohet me shumë devotshmëri. Në krahasim me kremtimet e mëparshme panairi nuk është më shtatë ditor dhe nuk përfshin më datën 22 maj. Tanimë ku panair kryhet vetëm në datat 3-4 qershor dhe fokusohet më tepër mbi shërbesën fetare që kryhet aty në nderim të shenjtorit. Përveçse tregtarëve ambulantë që vendosen jashtë ambienteve të manastirit nuk ekziston më një panair mallrash i mirëorganizuar si në vitet e mëparshme. Janë disa faktorë që kanë çuar në mosorganizimin e aktiviteteve të tilla. Një prej këtyre faktorëve ka të bëjë me mungesën e strukturave akomoduese të mjaftueshme për të pritur akoma edhe më tepër pelegrinë. Një arsye tjetër ka të bëjë me kufizimin e panairit vetëm në kryerjen e shërbesës fetare kushtuar shenjtorit.


    [1] Ibid, fq. 67.

    [2] Ibid, fq. 68.

    [3] Johan Georg von Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit, Tiranë, 2007, fq. 233.

    [4] Melsi  Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 60.

    [5] Ibid, fq.31.

    [6] Revista Predikimi, Nr. 49, 31 maj, (1935).

    [7] Atë Stavri Çipi, Histori e gojëdhëna për Shën Joan Vladimirin, Tiranë: ASD – Studio, 2016, fq. 49.

    [8] Andrea Llukani, “Manastiri i Gjon Vladimirit, qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe”, Revista Albanon, 2(1), (2021), fq. 87.

    Manastiri i Shën Joan Vladimirit – Historik i shkurtër

    Briken Gjika, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz
    Pamje nga pjesa e pasme e kishës së manastirit

    Manastiri i Shën Joan Vladimirit gjendet në fshatin Shijon, rreth 7 km në veriperëndim larg qytetit të Elbasanit. Ky manastir lidhet ngushtimisht me figurën qëndrore të sajë Shën Joan Vladimirin, prej të cilit edhe vetë fshati ka marrë emërtimin e sotëm. Manastiri që në gjenezën e tij ka pasur një rëndësi të veçantë, jo vetëm për këtë fshat por edhe më gjerë. Ekzistojnë shumë gojëdhëna dhe histori që na rrëfejnë dhe flasin mbi mënyrën se si dhe kur u ndërtua kisha e manastirit. Sipas gojëdhënave më të hershme, na tregohet se ishte vetë shenjti i cili në çastin kur ishte duke gjuajtur në luginën e lumit Kushë, pa një shqiponjë me një kryq në qafë dhe në kujtim të kësaj ngjarjeje të hyjshme ndërtoi aty një kishëz të vogël ku ai falej 7 herë në ditë. Ekzistojnë dy versione se kujt mund ti ketë qenë kushtuar kjo kishë, ku në versionin e parë thuhet se kjo kishëz i ishte kushtuar Shën Marisë dhe në versionin e dytë thuhet se ajo i qe kushtuar Trinisë së Shenjtë[1].

    Nga burimet historike që disponojmë sot, mësojmë se kisha e manastirit me emrin e Shën Joan Vladimirit, i përket periudhës së sundimit të princit Karl Topia në viset arbërore. Nga këto të dhëna mësojmë se ajo u ndërtua në vitin 1381 nga Karl Topia dhe djali i tij i parë, Gjergji[2]. Kjo gjë vërtetohet nga mbishkrimi i gurit të madh arkitra, i cili sot gjendet në muzeun historik kombëtar në të cilin shkruhet se, ai ishte ktitori i kësaj kishe dhe e rindërtoi atë në përmasa 4 herë më të mëdha pasi ishte shembur nga një tërmet i mëparshëm[3].

    Pamje nga hyrja kryesore e kishës së manastirit

    Rindërtimi i fundit i kishës së manatirit i përket vitit 1901, i cili erdhi si rrjedhojë e një tërmeti i cili shembi strukturën e mëparshme. Mbi portën kryesore të kishës gjendet edhe sot një mbishkrim në greqisht, në të cilin tregohet se ky rindërtim i kishës u krye në kohën e Mitropilitit të Durrësit të asaj kohe Imzot Prokopit dhe nën kujdesin dhe mbikqyrjen e Epitropit Spiridhon Xhufka[4]. Më vonë në datën 14 mars të vitit 1944, kisha e manastirit digjet e tëra nga ushtarët gjermanë. Nga ky zjarr u përfshinë konakët si edhe pjesë të tjera të kishës[5]. Restaurimi më i fundit i kishës është ai që i përket vitit 2004-2005, ku përveç rikonstruktimit të plotë të çatisë kemi edhe konsolidimin e muraturës si edhe detaje të tjera që shërbyen për ta kthyer kishën në funksion të besimtarëve[6].

    Manastiri i Shën Joan Vladimirit ka pasur një rëndësi të vazhdueshme që në fillesat e tij. Në të është zhvilluar një jetë e pasur murgërore dhe ka pasur një administrim të mirëorganizuar. E gjithë kjo shprehet më së miri me faktin se në këtë manastir kanë shërbyer shumë murgj, murgesha edhe priftërinj të cilët përveçse kanë mbajtur gjallë flakën e besimit, kanë punuar dhe ruajtur edhe pronat e manastirit. Nga të dhënat historike njohim qartë se ekzistonte një strukturë e konsoliduar e pleqësisë (dhimogjerondia) ku sëbashku me Mitropolitin dhe komisionin e manastirit, ndërmerrte vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen dhe ecurinë e mirë të jetës në të[7].

    Përveç aspektit që përmendëm më sipër, në këtë manastir u zhvillua edhe një traditë e larmishme e shkrimit dhe e ruajtjes së dorëshkrimeve. Manastiri ka pasur një ndër bibliotekat më të pasura të kohës dhe pas shkatërrimit të parë të Voskopojës më 1769 dhe të dytë më 1789 shumë prej këtyre dorëshkrimeve u ruajtën aty[8]. Shumë figura të shquara shqiptare punuan dhe lëvruan veprimtarinë e tyre në këtë qendër kaq të rëndësishme të kohës, ndër të cilët mund të përmendim: Papa Totasin, Dhaskal Todrin, Visarion Xhuvanin, Kostandin Kristoforidhin etj[9]. Ndër veprat që u shkruan në ambientet e këtij manastiri dhe që ruhen deri në ditët tona mund të përmendim “Anonimin e Elbasanit”, kodiku i 41-të i Beratit, përkthimi i Liturgjisë së Joan Gojartit nga Dhaskal Todri. Ka pasur edhe vepra të tjera të cilat nuk kanë arritur deri në ditët tona ndër të cilat mund të përmendim përkthimet e Dhaskal Todrit të Dhiatës së Vjetër, Dhiatës së Re, Librit të Orëve. Nga burime të tjera na thuhet gjithashtu se biblioteka ka pasur edhe shumë shkrime të tjera që nuk u ruajtën siç ishin një libër i quajtur “Nomokanon”, kodiku i dhuruesve të manastirit ku përfshihej edhe një ferman me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut etj[10]

    Persa i përket lipsanit të Shën Joan Vadimirit, dimë se pas martirizimit të tij në datën 22 Maj të vitit 1015, ai u vendos në kishën “E papërlyera e Krajës” e cila gjendet në qytetin e Krajës në Mal të Zi[11]. Më vonë sipas burimeve të Robert Elsie, lipsani i tij zhvendoset në një kishë në Durrës në vitin 1215 nga trupat e despotit të Epirit Mikaeli i I-rë dhe qëndrojnë atje deri në momentin kur princi Karl Topia e zhvendos atë në shek.XIV në manastirin e Shën Joan Vladimirit në Elbasan[12]. Që nga kjo periudhë e deri në vitin 1967, vit në të cilin manastiri kthehet në një repart ushtarak nga regjimi komunist i kohës, lipsani i shenjtit ruhet me tepër shpresëtari në fshatin Shijon. Pas vitit 1967 e deri në vitin 1997 arka me lipsane ruhet në kishën e Shën Marisë në lagjen Kala të Elbasanit. Nga 1997 e deri në ditët tona eshtrat e shenjtorit ruhen në kishëzën e kryepeshkopatës së Hirshme të Tiranës dhe sillen vetëm një herë në vit në fshatin Shijon kur kryhet panairi që i kushtohet shenjtit më datë 3-4 qershor[13]. Sot në manastirin e Shën Joan Vladimirit gjendet një pjesë e lipsanit të tij, i cili pasi u gjet në fondin e Muzeut Historik Kombëtar, u rikthye sërish në manastir në datën 12 Prill të vitit 2021.


    [1]Edmond Malaj, “Kulti i Shën Gjon Vladimirit tek Shqiptarët sot”, Tivari me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve, (2015), fq. 468.

    [2] Aleksandër Meksi, Arkitektura Mesjetare në Shqipëri, Tiranë: Shtëpia botuese “8 Nëntori”, 1983, fq. 114.

    [3] Melsi  Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 14-15.

    [4] Ibid, fq.26

    [5] Ibid, fq.29

    [6] Restaurimi i monumenteve të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, 2005, fq. 33.

    [7] Kujtim Bevapi, Antropologjia e besimeve fetare në qytetin e Elbasanit dhe krahinat e tij, Tiranë: Onufri, 2020, fq. 42.

    [8] Atë Stavri Çipi, Histori e gojëdhëna për Shën Joan Vladimirin, Tiranë: ASD – Studio, 2016, fq. 37-38.

    [9] Kujtim Bevapi, Antropologjia e besimeve fetare në qytetin e Elbasanit dhe krahinat e tij, Tiranë: Onufri, 2020, fq. 37.

    [10] Melsi  Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 51-54.

    [11] Ibid, fq. 66.

    [12] Robert Elsie, A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Culture, New York: New York University Press, 2001, fq. 139.

    [13] Melsi  Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 71.

    Turizmi Religjioz i Zonës së Shpatit me kishat monument kulture

    Klajdi Dervishi, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz
    Ky mbishkrim na tregon qe kete kisha e ka pikturuar Onufri

    Turizmi Religjioz dëshmohet në mënyrë të jashtëzakonshme në vendin tonë nëpërmjet monumenteve të kulturës të cilat janë renditur si të tilla duke patur parasysh disa kritere dhe karakteristika që i veçojnë nga e përgjithshmja. Po të hedhim sytë drejt territorit të Shqipërisë, do të shohim shumë parqe dhe vende arkeologjike, me gjetje të ndryshme, si ndërtesa, rrënoja, mbetje, objekte, etj, me anë të të cilave vërtetojmë pasurinë e madhe të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

    Shen Grigor Theologu

    Nuk mbetet pas edhe Zona e Shpatit, tek e cila hasim personalitete të artit dhe kulturës, kisha shekullore që cilësohen si monument kulture, por edhe tradita apo fenomene të ndryshme që spikatin dhe që përcjellin mesazhe të forta tek popullata e zonës dhe jashtë saj. Zona e Shpatit sjell pranë nesh gjurmët e një ndër ikonografëve më të mirë dhe më të shquar, Onufër Nekastritit, nëpërmjet dy kishave historike, shekullore, por edhe me përmbajtje të lartë theologjike, artistike dhe arkeologjike. Përveç dy kishave, Shën Nikollës në Shelcan dhe Shën e Premtes në Valësh, Zona e Shpatit njihet edhe për fenomenin e njohur, atë të kriptokrishtërimit ose krishtërimit të fshehur, ku me një krenari dhe dinjitet, populli arriti ta mbante dhe përcillte besimin e Krishterë Orthodhoks deri në ditët e sotme, duke marrë parasysh edhe vështirësitë e periudhave otomane dhe komuniste. Në fshatin Valësh të Shpatit ku ka pikturuar Onufri në mesin e Shekullit të XV, ka lindur rreth dy shekuj më vonë Konstandin Shpataraku, një tjetër ikonograf i shquar. Onufri ka pikturuar në këtë zonë duke lënë dy kisha që i përkasin trashëgimisë kukturore, ndërsa Kostandin Shpataraku, i lindur në këtë zonë, ka dhënë një kontribut të çmuar në zona të tjera të vendit tonë. Këta të dy përbëjnë për vendin tonë dy personalitete të mëdha të artit shqiptar të krishtërimit orthodhoks. Vepra e tyre premton kultivimin e turizmit religjioz të qëndrueshëm.

    Kisha e Shën Nikollës në Shelcan

    Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Shelcan. Kisha është e përbërë nga afreske të cilat janë pikturuar nga dora e ikonografit Onufër në vitin 1554. Një pjesë tjetër e afreskeve janë të pikturuara më vonë nga një tjetër ikonograf.[1] Mbishkrimi i cili ndodhet në hieroren e kishës, në pjesën ku kryhet proskomidhia gjatë shërbesave të shenjta, vërteton hipotezën se afresket e kësaj kishe janë pikturuar nga Onufri. Mbishkrimi është i shkruar në greqishten bizantine i cili në shqip ka këtë kuptim: Kur të ngresh duart e tua te Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend edhe mua mëkatarin dhe të paditurin piktor Onufrin“.[2] Këtë mbishkrim e ka publikuar teologu Theofan Popa në vitin 1951, ku personalisht, shkoi dhe vizitoi këtë kishë të fshatit Shelcan.[3] Ndërsa kisha u shpall monument kulture që prej vitit 1948.[4]

    Kisha e Shën Kollit është e përbërë nga disa karakteristika, të cilat e bëjnë atë të veçantë dhe tërheqëse për turistët. Përveç mbishkrimeve të shumta që ndodhen në këtë kishë, atë e karakterizojnë edhe afresket e pikturuara në të gjithë hapërirën e brendshme. Në ajodhimë gjenden afreske të ndryshme shenjtorësh dhe skena të ndryshme biblike. Një afresk që bie shumë në sy dhe që nuk është i përdorur në kisha të tjera është paraqitja e Krishtit me tri fytyra[5]. Kjo pikturë shpreh Trininë e Shenjtë dhe të pandarë e cila është e përbërë nga tre persona, të cilët, të gjithë së bashku përbëjnë Perëndinë Triadik. Në katër cepat e afreskut ndodhen katër ungjillorët, Mateu, Marku, Lukai dhe Joani.

    Paraqitja e Krishtit me tri fytyra

    Ndryshe nga ikonostaset e shumë kishave që sot janë në kategorinë e monumenteve të kulturës, ikonostasi i kishës së Shën Nikollës është prej guri dhe haset në disa kisha të Shqipërisë, ka një traditë shumë të vjetër dhe që gjendet në kishat e Sirisë që i përkasin shekullit III dhe të IV dhe rrallë se mund të gjenden në vende të tjera.[6] Ky ikonostas cilësohet i veçantë pasi përbën vijimin e një tradite të hershme të krishterë. Përveç përbërjes së ikonostasit, duke qëndruar sërisht aty, ikonostasi i kësaj kishë është i pikturuar edhe në anët e brendshëm të altarit, gjë e cila është shumë e rrallë[7]. Gjithashtu, mbi ikonostas, nuk janë pikturuar skenat biblike, ashtu siç është traditë e gjithë kishave, por 12 apostujt me Krishtin në qendër.

    Krahas mbishkrimeve të shumta që ndodhen në kishën e Shën e Nikollës, në këtë kishë paraqiten dhe një numër i madh afreskesh, shenjtorë të ndryshëm dhe skena biblike të ndryshme nga jeta kishtare. Muret e kishës janë të ndara në katër breza. Në brezin e parë janë paraqitur dekoracione mandili. Në brezin e dytë, i cili është sipër brezit të parë, janë paraqitur shenjtorë të ndryshëm me gjithë trupin e tyre. Brezi i tretë është i përbërë nga shenjtorë që janë paraqitur me bust. Në brezin e katërt dhe të fundit janë paraqitur skena biblike nga jeta kishtare.[8]

    Kisha e Shën e Premtes në Valësh

    Fshati i Valëshit gjendet në krahinën e Zonës së Shpatit, ku në të bën pjesë Kisha e Shën e Premtes. Afresket, të cilat e karakterizojnë këtë kishë, janë pikturuar nga ikonograf Onufri në vitin 1554. Si duket, afresket e kishës së Shën e Premtes u pikturuan mbasi Onufri mbaroj së pikturuari kishën e Shën Kollit. Sepse mbishkrimi që ndodhet në kishën e Shën Kollit në Shelcan, në përmbajtje të tij tregon se Onufri ishte ende laik, ndërsa përmbajtja e mbishkrimit të kishës së Shën e Premtes në Valësh thekson se ishte prift i cilësuar me gradën e priftit të parë. Fatmirësisht kjo kishë u shpall monument kulture në vitin 1963 dhe arriti të mbijetojë deri në ditët tona.[9]

    Nëse do të bënim një karahasim midis dy kishave që po i referohemi, Kisha e Shën Nikollës është më e madhe, dhe përmban më tepër mbishkrime, afreske dhe që janë të ruajtura më mirë se sa në kishën e Shën e Premtës. Në kishën e Shën e Premtes numërohen 3 mbishkrime në pjesë të ndryshme të mureve të saj. Përveç mbishkrimeve, janë pikturuar shenjtorë dhe skena të ndryshme biblike, të cilat dëshmojnë fare mirë vlerën artistike, theologjike, por edhe historike të kishës. Në këtë monument kulture, dallohet një ndër veprat ikonografike më të mira të Onufrit. Në të djathtë të apsidës, ndodhet ikona e Shën Grigor Teologut, ku ai paraqitet i drejtuar nga e Tërëshenjta Mari duke i lëçitur (dedikuar) himn falenderues. Pikturimi i Grigor Teologut është afresku më i përkryer që ka pikturuar Onufri në këtë kishë.[10]

    Mbishkrim qe tregon se ne kete kishe ka pikturu Onufri

    Dy kishat e lartpërmendura kanë shërbyer si vendqëndrimi për turistët vendas dhe të huaj. Kisha e Shën Kollit është në vazhdimësi të rrugës që të çon në fshatin turistik të Gjinarit. Këtu mund bëhet një lidhje e llojeve të ndryshme të turizimit, si psh të turizmit natyror, me në qendër Gjinarin dhe atij religjoz, si pikë referimi, kishën e Shën Nikollës dhe Shën e Premtes. Duhet të theksojmë faktin se zhvillimi dhe promovimi i një vendi turistik, nuk mund të realizohet vetëm nga një lloj turizmi. Pra, ndërthurja e llojeve të ndryshme të turizmit, duke përfshirë turizmin malor, ku në Zonën e Shpatit kemi malin e Bukanikut, turizmin natyror, Gjinarin dhe vendet përreth tij, turizim religjioz, ku përmendim dy kishat shekullore me vlera të gjithëanshme, bëjnë të mundur edhe nxjerrjen në pah jo vetëm të vlerave të kishës së Shën Kollt dhe Shën e Premtes, por edhe të të gjithë vlerave të shumta që përcjell në vetvete kjo Zonë me tradita dhe zakone të trasmetuara brez pas brezi deri në ditët e sotme, pavarsisht periudhave dhe vështirësive që ka kaluar.

    Si përfundim, Zona e Shpatit mbart dhe transmeton vlera të trashëgimisë kuturore, materiale dhe shpirtërore. Kjo dëshmohet nëpërmjet dy përsonaliteteve të lartpërendur që kanë lënë gjurmë në këtë zonë, kishave përkatëse me karakteristika dhe veçanti unike, të cilat i shërbejnë drejtpërdrejtë promovimit dhe arsyes pse duhen vizituar ato kisha, si edhe nëpërmjet fenomenit të kriptokrishtërimit. Pra, Krahina e Shpatit ofron histori e cila trashëgohet dhe përcillet tek të tjerët, vlera artistike dhe arkitekturore, që ruhen dhe që shërbejnë si pikë kyçe për tërheqjen e vizitorëve, përkatësinë fatare e cili është trashëguar deri në ditët e sotme nga një brez në tjetrin dhe mundësi e potencial zhvillimi duke marr parasysh të gjitha ato që përmban si zonë.


    [1]M. Zeqo, Mes laokontit dhe Krishtit, Medaur, Tiranë 2000, faqe 18- 19.

    [2]Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr.7, faqe 52.

    [3]A. Lukani, ARTI KISHTAR NË SHQIPËRI: Sipas mbishkrimeve të kishave, Trifon Xhagjika, Tiranë, 2014, 35.

    [4]Mbrojtja e monumenteve, Botim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 25; Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 68.

    [5]Th. Popa, Piktorët mesjetarë shqiptarë, 8 Nëntori, Tiranë, 1961, 44-46.

    [6]V. Puzanova, MBI ARTIN BIZANTIN DHE POST-BIZANTIN SHQIPTAR, Shtëpia botuese 55, Tiranë, 2005, faqe 26.

    [7]Ibid, faqe 26.

    [8]A. Lukani, ARTI KISHTAR NË SHQIPËRI: Sipas mbishkrimeve të kishave, Trifon Xhagjika, Tiranë, 2014, 34.

    [9]Mbrojtja e monumenteve, Botimi Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 25;Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 68.

    [10]V. Puzanova, Mbi artin bizantin dhe post-bizantin shqiptar, 55, Tiranë 2005, faqe 26-27.