Elisabeta Shqau, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz

Shpati i Epërm shquhet për potencialin turistik, falë shumë faktorëve: monumenteve të kulturës, kishave, siteve arkeologjike, pozitës gjeografike të favorshme, larmisë së mikroklimës, pasurive të shumta ujore, larmisë së formave të relievit, të shoqëruara me një botë të pasur bimore e shtazore.
Ajo çfarë e bën më atraktive këtë zonë për një pelegrin janë gjurmët e krishtërimit që i gjen në shumë kisha ekzistuese dhe rrënoja, thuajse në çdo fshat. Kjo zonë është një mundësi e mirë për zhvillimin e turizëm pasi të gjithë këta faktorë vërtetojnë vlerat e mëdha të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Kishat monument kulture të Shpatit
Kisha e shën Nikollës, Shelcan

Fshati Shelcan ndodhet në afërsi të qytetit të Elbasanit. Në këtë fshat të zonës së Shpatit ndodhet Kisha e Shën Kollit e cila i përket shekujve XV-XVI. Kisha është e përbërë nga afreske të cilat janë pikturuar nga dora e ikonografit Onufër në vitin 1554. Krahas mbishkrimeve të shumta që ndodhen në kishën e Shën Nikollës ose Shën Kollit, paraqiten dhe një numër i madh afreskesh me shenjtorë të ndryshëm dhe skena biblike nga jeta kishtare. Muret e kishës janë të ndara në katër breza. Në brezin e parë janë paraqitur dekoracione mandili.
Në brezin e dytë, i cili është sipër brezit të parë, janë paraqitur shenjtorë të ndryshëm me gjithë trupin e tyre. Brezi i tretë është i përbërë nga shenjtorë që paraqitet koka dhe trupi, ose ndryshe janë paraqitur shenjtorët me bust. Në brezin e katërt dhe të fundit janë paraqitur skena biblike nga jeta kishtare. Në Kishën e Shën Nikollës ndodhen disa mbishkrime ku flasin për ikonografinë dhe kohën kur janë pikturuar këto afreske, gjithashtu në këto mbishkrime janë paraqitur dhe fragmente nga psalmet e Davidit, lutje që i përkasin jetës liturgjike, si lutja nga mesha e Shën Joan Gojartit. Ekzistojnë edhe lutje nga mesha episkopale dhe psalme të cilat janë shkruajtur në pjesë të ndryshme të Kishës. Kjo kishë u regjistrua dhe u shpall monument kulture në vitin 1948.
Kisha e Shën e Premtes në Valësh

Fshati i Valëshit gjendet në krahinën e zonës së Shpatit, ku në të bën pjesë dhe Kisha e Shën e Premtes. Afresket, të cilat e karakterizojnë këtë kishë, janë pikturuar nga ikonograf Onufri në vitin 1554. Në mbishkrimet që gjenden në këtë kishë, tregohet se Onufri ka qenë klerik, prift i parë. Në pjesën qëndrore është pikturuar Krishti i cili i tregon rrobën e shqyer Pjetrit të Aleksandrisë. Gjithashtu paraqet dhe Krishtin në varr, si edhe Shën Stefani, dëshmori i parë i cili është duke vështruar Krishtin. Gjithashtu nuk mungojnë skena të ndryshme biblike, si: Darka Mistike, Krishtlindja, Kryqëzimi, Hyrja në Jerusalem, Ungjillëzimi, etj. Krishtërimi në Shpat ka gjurmë shumë më të thella. Informacionet e para të krishtërimit të hershëm në këtë zonë i kemi nga gjetjet arkeologjike, ku janë zbuluar varre (Byshek, Shelcan) ku si mbulesë janë përdorur tjegulla të sheshta dhe dimensione të mëdha, tipike të kësaj periudhe. Në çdo cep që do të shkelnin pelegrinët do të gjenin gjurmë të besimit të krishterë dhe do të kuptonin që ky besim ka rrënjë të thella në këtë zonë e cila dëshmohet nga një numër i konsiderueshëm Kishash, të ndërtuara në periudha të ndryshme historike.
Kisha të tjera në Shpat
- Shën Marena në Mlizë
- Shën Maria në Lleshan
- Shën Stefani në Dërstilë
- Shën Athanasi, shën Marena, Ngjitja e Zotit në qiell në Gjinar.
- Shën Llazari në Pashtresh
- Shën Gjergji në Zavalinë
- Shën Maria në Seltë
- Shën Martini, Joronisht
- Kisha e Anargjendëve Kozma e Damian në Stërstan
Duke qenë një zonë me tradita orthodhokse sigurisht që nuk do të mungonte prezenca e shumë Kishave. Në çdo fshat ka një Kishë dhe zhvillohet një panair që mbledh të tërë fshatrat përreth. Një pelegrin do të ishte i interesuar t’i vizitonte pothuajse të gjitha këto Kisha dhe të merrte informacionin e duhur për historinë, kremtimet gjatë mbledhjet adhuruese dhe festimeve që pasojnë pas Liturgjisë.
Sapo kalon Elbasanin dhe futesh në fshatin Mlizë gjen Kishëzën e shën Marenës që feston me 30 korrik, (kalendarin Julian), më pas ngjitesh në kishën e shën Nikollës në Shelcan, (15 maj) vijon në kishën e shën Marisë në Lleshan, (28 gusht) në shën Stefan në Dërstilë (9 janar) dhe ndalon në Gjinar në kishën e shën Athanasit, (31 janar) Ngjitjes, (40 ditë pas Pashke) më pas vijon në shën Marenë (30 korrik), shën Llazari (të shtunën para të dielës së Dafinave), shën Gjergji (6 maj), shën Maria (28 gusht), shën Kozma e Damian (14 korrik), Kisha e shën Martinit, Joronisht, 12 nëntor.
Ndër Kishat që janë përmendur më lart, Ngjitja e Zotit Krisht është ndërtuar e re, në vitin 1997, dhe e shën Gjergjit Zavalinë, ndërsa kisha e shën Marenës Mlizë, shën Marisë në Seltë, e shën Llazarit në Pashtresh dhe shën Kozma dhe Damian në Stërstan, shën Martinit Joronisht janë Kisha ekzistuese që i kanë shpëtuar persekutimit të egër ateist. Kisha e shën Kozma dhe Damian është e pajisur edhe me afreske por nuk është futur në radhët e monumenteve të kulturës fatkeqësisht.
Kisha e shën Marisë në Lleshan ekziston si rrënojë. Kisha e shën Stefanit, e shën Thanasit dhe shën Marenës janë ndërtuar në formë paraklisi të vogla dhe funksionojnë vetëm ditët e panairit.
Gjinari
Përveç pasurisë së madhe kulturore Gjinari, i cili mbetet një ndër pikat më karakteristike turistike të Elbasanit që shtrihet në juglindje të tij, me një lartësi 900 m mbi nivelin e detit, ndërsa maja më e lartë 1850 m, pa ekzagjëruar do të quhej si mushkëria e qytetit dhe ofron një mundësi të mirë për turizmin malor, të dëborës, aventurës, piknik, ecje, ski, hiking, etj.
Falë bujarisë së natyrës në këtë zonë gjejmë një florë dhe faunë shumë të pasur. Pyjet e gjera të ahut, pishës, bredhit i japin strehë ketrit, ujkut, dhelprës dhe arushës. Klima dhe resurset natyrore ofrojnë turizëm të shkëlqyer si gjatë verës ashtu edhe në dimër.
Disa nga atraksionet e Gjinarit
Dushku i Lleshanit

Rrugës për Gjinar gjejmë dushkun gjigand të Lleshanit, monument natyre 300 vjeçar. Dushku gjigand i Lleshanit, për të cilin ekziston edhe një legjendë: “Kjo madhështi lindi nga flijimi i një foshnjeje me një lende dushku në grykë. Nëna dhe babai bënë të pamundurën për foshnjën e tyre të vogël që ta kthenin përsëri në jetë, por jo…! Foshnja do të ishte krijesa e kësaj peme madhështore, që populli e mbron, i shërben dhe e respekton si të ishte një gjë e gjallë, këtë monument natyror me shumë vlera”. Ka një lartësi rreth 21 m, dhe mosha e tij është 300-vjeçare. Tashmë ai është një monument natyror dhe në çdo kohë pret me dhjetëra vizitorë apo pushues, të cilët nën hijen e tij shijojnë peisazhin piktoresk që i rrethon. Legjenda e këtij dushku tashmë është kthyer në një vlerë natyrore, e cila do të mbijetojë edhe për shekuj të tjerë, mbi kodrinën e vogël të fshatit Lleshan .
– Varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës) në Valësh: Piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767
– Derstilat artizanale në shfatin Dërstilë. Mekanizëm që punon me forcën e ujit. Përpunon (me rrahje e zhytje) pëlhurat e leshta që bëhen në vegjë (tezgjah).
– Dushku i Gjinarit, pranë kishës së fshatit me një lartësi prej 22 m dhe moshë 300-vjeçare.
– Pishat e Fushë Kuqes, në Gjinar qendër, përbëhen nga drurë të vjetër dhe të rinj, me lartësi 18-20 m, me moshë 149-158 vjet.
- Aktivitete të tjera
Lojra olimpike: Në ditët e javës së parë të qershorit të çdo viti, në stadiumin natyror të fushës sportive “Jani Shqau” zhvillohen lojra olimpike, me pjesëmarrje të gjerë edhe nga Elbasani. Zhvillohen gjithashtu festivale folklorike, panaire me prodhime vendase, gatime tradicionale, etj.
- Gastronomia në Gjinar
Një udhëtim turistik në Gjinar nuk do të kishte kuptim pa shijuar një drekë me prodhime tradicionale dhe të ofruara me aq dashuri nga restorantet dhe bujtinat e zonës.
Si zonë malore mishi mbetet një nga produktet kryesore të një tavoline tradicionale. Ndër pjatat kryesore përmendim kalastranin me qull me arra, mishin e kecit dhe të qingjit në hell, mishin e kecit në pus etj. Ndër gatimet e tjera përmendim byrekë me arra, me presh, me hithra, me gjizë, djathë, vezë, oshmar me gjalp, qumështor etj. Në një tavolinë shpatarake nuk mungon rakia e thanës, kumbullës, rrushit, dëllinjës, manaferras. Gjithashtu nuk mungojnë kompostot dhe reçelërat e bëra nga amvisat e zonës me shumë përkushtim si prej ftoi, thane, kumbulle, qershie, manaferra, molle, fiku etj. Të gjitha këto do t’i gjeni tek Bar Restorant Natyra, Endrra, Sofra e Shpatit, Tre Bujtinat etj.
Përfundimi
Në Gjinar do të gjeni një zonë turistike të bekuar pafundësisht me burime natyrore dhe me një traditë kulturore dhe historike shumë të pasur.
Grupet e turistëve të interesuar për kulturën do të gjenin Kisha për t’u lutur dhe kryer ritualet e tyre fetare, do të mësonin nga udhërrefyesit e grupit për ruajtjen e besimit në këtë zonë si kriptokristianë, ndërtimin e kishave, mbrojtjen dhe përçimin e besimit nga brezi në brez gati me fanatizëm.
Gjinari mbetet një zonë që edhe kur largohesh fizikisht, ikën me mendimin për t’u kthyer prapë dhe për të shijuar sadopak nga pasuritë e pafundme që të ofrohen bujarisht ky vend.
