
Në manastirin e ri të Shën Vlashit, Shënavlash, Durrës, në çdo 15 gusht kryhet panairi i “Fjetjes së Hyjlindëses” ose siç njihet ndryshe i Shën Marisë së gushtit. Panairi është një nga tre panairet kryesore të kryera në shekuj në manastirin e vjetër të Shën Vlashit.
Pas shkatërrimit deri në themele të manastirit nga vala antifetare e regjimit komunist në Shqipëri në vitin 1967 dhe ndalimit me ligj të praktikave fetare, me çeljen e të drejtës së lirisë së besimit në vitin 1990, nisi përsëri të kryhen panairet në të njëjtin vend, tashmë në manastirin e ri të Shën Vlashit.
Peligrinazhi historik i besimtarëve e viziton atë gjatë gjithë vitit në datat 10, 11 shkurt dhe 15 gusht, që përkojnë respektivisht me kremtimet panegjirike të Shën Harallambit, Shën Vlashit dhe Shën Marisë.
Panairi i Shën Marisë së gushtit shënon historikisht numrin më të shumtë të vizitorëve në manastir. Në të marrin pjesë peregrinë dhe vizitorë pa dallim feje, nga vende të ndryshme Shqipërisë si Durrësi, Kavaja, Tirana, Elbasani, Mirdita, shembull i bashkëjetesës ndërfetare ndër shqiptarët.
Gjithashtu, panairi i Shën Marisë përbën një nga elemetët shpirtërorë të trashëgimisë së pasur të manastirit të njohur për vetitë e tij mrekullibërëse.
Një pjesë e konsiderueshme e peregrinëve vijnë në vigjilje të kremtimit dhe sipas traditës gdhihen në manastir. Ndërsa të nesërmen, e gjithë bashkësia merr pjesë në meshën panegjirike të celebruar në kishën qëndrore të manastirit për nder të ngjarjes së “Fjetjes së Shën Marisë”. Pas meshës, vizitorët drekojnë dhe vizitojnë kompleksin e pasur të manastirit.
Kompleksi i manastirit zë 2800 m2 dhe është i rrethuar me mure të jashtme guri. Brenda tij përmban kishën qëndrore, konakët e manastirit, dyqanin me suvenire kishtare dhe shtëpinë e fëmijëve “Shpresa”. Që prej vitit 1996 në manastir ka funksionuar Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, institucion i arsimit të lartë, e cila për tre dekada ka nxjerrë plejadën e klerikëve dhe teologëve të Kishës Orthodhokse.
I gjithë kompleksi i ngritur i manastirit të ri mbi manastirin e vjetër përbën jo vetëm një nga veprat më të rëndësishme ndërtimore dhe shpirtërore por edhe simbolin e ringritjes nga rrënojat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasi.
Gjithashtu, ambjentet komode të manastirit, ku strehohet Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës, përbëjnë kampusin numër 2 të Kolegjit Universitar Logos, Tiranë. Në to përfshihen zyrat dhe klasat, konvikti i djemve, biblioteka dhe arkivi me mbi 15.000 tituj librash, menca, holli, kafeneja, salla e aktiviteteve sportive dhe e konferencave dhe ambjente të tjera ndihmëse. Jashtë manastirit ndodhen konvikti i vajzave në një godinë më vete dhe Skiti i Miroprurëseve, një tjetër kompleks tërheqës pranë tij.
Është bërë traditë që studentët e programeve bachelor në Theologji dhe master shkencor në “Turizëm Religjioz” të marrin pjesë në aktivitetet e kryera me rastin e këtij panairi, ku përfshihet edhe guida për personat që duan të njohin trashëgiminë dhe kontributin bashkëkohor të manastirit të Shën Vlashit.
Mund të themi me siguri se kremtimi i panairit të Shën Marisë në Manastirin e Shën Vlashit përbën tashmë atraksion real me potencial të larmishëm kulturor dhe religjioz, në të cilit ofrohen shërbime cilësore për vizitorë dhe turistë.
Dr. Thoma Shkira, Lektor pranë Kolegjit Universitar “Logos”









