
Manastiri i Shën Joan Vladimirit, (Shën Gjonit), në Shijon, Elbasan, çdo 3-4 qershor kremton panairin e shën Joan Vladimirit.
Manastiri përbën monument të trashëgimisë kulturore që prej vitit 1948 dhe 1971. Të dhënat biografike të shenjtit tregojnë se kisha e parë u ndërtua nga vetë princi Joan Vladimiri, pas një shfaqjeje të mrekullueshme. Ndërsa mbishkrimi tregjuhësh dhe stema princërore e kishës së manastirit, dëshmojnë rindërtimin e tij në vitin 1381 nga princi Karl Topia.
Në mesjetë, pjesë përbërëse e panairit të Shën Joan Vladimirit ishte edhe kryerja e pazarit 7 ditor me pjesëmarrjen e besimtarëve dhe tregëtarëve të cilit vinin nga shumë vende përtej zonave të Elbasanit, si Korça, Durrësi, Manastiri etj. Manastiri ka qenë i njohur për kompleksin e pasur ku përfshiheshin konakët me shumë dhoma ndenjeje, biblioteka, kisha me mjaft objektesh me ornamente dhe ikona murale dhe të lëvizshme prej piktorit Konstandin Shpatarakut dhe nderimin e arkës së lipsanit të shën Joanit. Manastiri u dogj në vitin 1944 ku humbi pjesa më e madhe e godinave të tij.
Në mënyrë paradoksale, regjimi komunist, i cili e shpalli zyrtarisht manastirin monument të trashëgimisë kulturore në vitet 1948 dhe 1971, pas valës antifetare të vitit 1967 të shkatërrimit të objekteve dhe ndalimit me ligj të praktikave fetare ndaloi panairin e Shenjtit dhe lejoi vendosjen e një divizioni ushtarak dhe degradimin manastirit deri në vitin 1990. Megjithatë, arka e lipsanit u shpëtua.
Pas ushtrimit të lirisë së besimit pas viteve 1990, panairi i shën Joan Vladimirit vijon përsëri me pjesëmarrje të lartë të popullit pa dallim feje. Manastiri i rrënuar, u restaurua dhe ndërtua në vitin 2005 nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Sot, kompleksi i manastirit përmban kishën e restauruar, konakët e manastirit, ku sot përfshihen bujtinat, menca, biblioteka dhe ambjente ndihmëse, të cilat bëjnë të mundur përmbushjen e nevojave të panairit të shën Joan Vladimirit.
Peligrinazhi i panairit nis në datën 3 qershor, ku në mbrëmje vijnë besimtarë dhe vizitorë të shumtë dhe sipas traditës ndjekin agripninë, shërbesat fetare dhe meshën e shenjtë. Të nesërmen e datës 4 qershor kryhet përsëri mesha, dhe më pas populli besimtar nëpërmjet një procesioni madhështor, shoqëron me nderim arkën e lipsanit të shën Joan Vladimirit, 3 herë rreth e rrotull. Më pas pjesëmarrësit në panair festojnë duke konsumuar ushqime në pazarin e ngritur posaçërisht për këtë panair duke festuar me këngë dhe sipas mënyrës së tyre.
Është bërë traditë që studentët e programeve bachelor në Theologji dhe master shkencor në “Turizëm Religjioz” të marrin pjesë në aktivitetet e kryera me rastin e këtij panairi, ku përfshihet edhe guida për personat që duan të njohin trashëgiminë dhe kontributin bashkëkohor të manastirit të Shën Vlashit.
Dr. Thoma Shkira, Lektor pranë Kolegjit Universitar “Logos”












Μια σκέψη σχετικά μέ το “Panairi i shën Joan Vladimirit (3-4 qershor)”