Turizmi Religjioz i Zonës së Shpatit me kishat monument kulture

Klajdi Dervishi, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz
Ky mbishkrim na tregon qe kete kisha e ka pikturuar Onufri

Turizmi Religjioz dëshmohet në mënyrë të jashtëzakonshme në vendin tonë nëpërmjet monumenteve të kulturës të cilat janë renditur si të tilla duke patur parasysh disa kritere dhe karakteristika që i veçojnë nga e përgjithshmja. Po të hedhim sytë drejt territorit të Shqipërisë, do të shohim shumë parqe dhe vende arkeologjike, me gjetje të ndryshme, si ndërtesa, rrënoja, mbetje, objekte, etj, me anë të të cilave vërtetojmë pasurinë e madhe të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Shen Grigor Theologu

Nuk mbetet pas edhe Zona e Shpatit, tek e cila hasim personalitete të artit dhe kulturës, kisha shekullore që cilësohen si monument kulture, por edhe tradita apo fenomene të ndryshme që spikatin dhe që përcjellin mesazhe të forta tek popullata e zonës dhe jashtë saj. Zona e Shpatit sjell pranë nesh gjurmët e një ndër ikonografëve më të mirë dhe më të shquar, Onufër Nekastritit, nëpërmjet dy kishave historike, shekullore, por edhe me përmbajtje të lartë theologjike, artistike dhe arkeologjike. Përveç dy kishave, Shën Nikollës në Shelcan dhe Shën e Premtes në Valësh, Zona e Shpatit njihet edhe për fenomenin e njohur, atë të kriptokrishtërimit ose krishtërimit të fshehur, ku me një krenari dhe dinjitet, populli arriti ta mbante dhe përcillte besimin e Krishterë Orthodhoks deri në ditët e sotme, duke marrë parasysh edhe vështirësitë e periudhave otomane dhe komuniste. Në fshatin Valësh të Shpatit ku ka pikturuar Onufri në mesin e Shekullit të XV, ka lindur rreth dy shekuj më vonë Konstandin Shpataraku, një tjetër ikonograf i shquar. Onufri ka pikturuar në këtë zonë duke lënë dy kisha që i përkasin trashëgimisë kukturore, ndërsa Kostandin Shpataraku, i lindur në këtë zonë, ka dhënë një kontribut të çmuar në zona të tjera të vendit tonë. Këta të dy përbëjnë për vendin tonë dy personalitete të mëdha të artit shqiptar të krishtërimit orthodhoks. Vepra e tyre premton kultivimin e turizmit religjioz të qëndrueshëm.

Kisha e Shën Nikollës në Shelcan

Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Shelcan. Kisha është e përbërë nga afreske të cilat janë pikturuar nga dora e ikonografit Onufër në vitin 1554. Një pjesë tjetër e afreskeve janë të pikturuara më vonë nga një tjetër ikonograf.[1] Mbishkrimi i cili ndodhet në hieroren e kishës, në pjesën ku kryhet proskomidhia gjatë shërbesave të shenjta, vërteton hipotezën se afresket e kësaj kishe janë pikturuar nga Onufri. Mbishkrimi është i shkruar në greqishten bizantine i cili në shqip ka këtë kuptim: Kur të ngresh duart e tua te Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend edhe mua mëkatarin dhe të paditurin piktor Onufrin“.[2] Këtë mbishkrim e ka publikuar teologu Theofan Popa në vitin 1951, ku personalisht, shkoi dhe vizitoi këtë kishë të fshatit Shelcan.[3] Ndërsa kisha u shpall monument kulture që prej vitit 1948.[4]

Kisha e Shën Kollit është e përbërë nga disa karakteristika, të cilat e bëjnë atë të veçantë dhe tërheqëse për turistët. Përveç mbishkrimeve të shumta që ndodhen në këtë kishë, atë e karakterizojnë edhe afresket e pikturuara në të gjithë hapërirën e brendshme. Në ajodhimë gjenden afreske të ndryshme shenjtorësh dhe skena të ndryshme biblike. Një afresk që bie shumë në sy dhe që nuk është i përdorur në kisha të tjera është paraqitja e Krishtit me tri fytyra[5]. Kjo pikturë shpreh Trininë e Shenjtë dhe të pandarë e cila është e përbërë nga tre persona, të cilët, të gjithë së bashku përbëjnë Perëndinë Triadik. Në katër cepat e afreskut ndodhen katër ungjillorët, Mateu, Marku, Lukai dhe Joani.

Paraqitja e Krishtit me tri fytyra

Ndryshe nga ikonostaset e shumë kishave që sot janë në kategorinë e monumenteve të kulturës, ikonostasi i kishës së Shën Nikollës është prej guri dhe haset në disa kisha të Shqipërisë, ka një traditë shumë të vjetër dhe që gjendet në kishat e Sirisë që i përkasin shekullit III dhe të IV dhe rrallë se mund të gjenden në vende të tjera.[6] Ky ikonostas cilësohet i veçantë pasi përbën vijimin e një tradite të hershme të krishterë. Përveç përbërjes së ikonostasit, duke qëndruar sërisht aty, ikonostasi i kësaj kishë është i pikturuar edhe në anët e brendshëm të altarit, gjë e cila është shumë e rrallë[7]. Gjithashtu, mbi ikonostas, nuk janë pikturuar skenat biblike, ashtu siç është traditë e gjithë kishave, por 12 apostujt me Krishtin në qendër.

Krahas mbishkrimeve të shumta që ndodhen në kishën e Shën e Nikollës, në këtë kishë paraqiten dhe një numër i madh afreskesh, shenjtorë të ndryshëm dhe skena biblike të ndryshme nga jeta kishtare. Muret e kishës janë të ndara në katër breza. Në brezin e parë janë paraqitur dekoracione mandili. Në brezin e dytë, i cili është sipër brezit të parë, janë paraqitur shenjtorë të ndryshëm me gjithë trupin e tyre. Brezi i tretë është i përbërë nga shenjtorë që janë paraqitur me bust. Në brezin e katërt dhe të fundit janë paraqitur skena biblike nga jeta kishtare.[8]

Kisha e Shën e Premtes në Valësh

Fshati i Valëshit gjendet në krahinën e Zonës së Shpatit, ku në të bën pjesë Kisha e Shën e Premtes. Afresket, të cilat e karakterizojnë këtë kishë, janë pikturuar nga ikonograf Onufri në vitin 1554. Si duket, afresket e kishës së Shën e Premtes u pikturuan mbasi Onufri mbaroj së pikturuari kishën e Shën Kollit. Sepse mbishkrimi që ndodhet në kishën e Shën Kollit në Shelcan, në përmbajtje të tij tregon se Onufri ishte ende laik, ndërsa përmbajtja e mbishkrimit të kishës së Shën e Premtes në Valësh thekson se ishte prift i cilësuar me gradën e priftit të parë. Fatmirësisht kjo kishë u shpall monument kulture në vitin 1963 dhe arriti të mbijetojë deri në ditët tona.[9]

Nëse do të bënim një karahasim midis dy kishave që po i referohemi, Kisha e Shën Nikollës është më e madhe, dhe përmban më tepër mbishkrime, afreske dhe që janë të ruajtura më mirë se sa në kishën e Shën e Premtës. Në kishën e Shën e Premtes numërohen 3 mbishkrime në pjesë të ndryshme të mureve të saj. Përveç mbishkrimeve, janë pikturuar shenjtorë dhe skena të ndryshme biblike, të cilat dëshmojnë fare mirë vlerën artistike, theologjike, por edhe historike të kishës. Në këtë monument kulture, dallohet një ndër veprat ikonografike më të mira të Onufrit. Në të djathtë të apsidës, ndodhet ikona e Shën Grigor Teologut, ku ai paraqitet i drejtuar nga e Tërëshenjta Mari duke i lëçitur (dedikuar) himn falenderues. Pikturimi i Grigor Teologut është afresku më i përkryer që ka pikturuar Onufri në këtë kishë.[10]

Mbishkrim qe tregon se ne kete kishe ka pikturu Onufri

Dy kishat e lartpërmendura kanë shërbyer si vendqëndrimi për turistët vendas dhe të huaj. Kisha e Shën Kollit është në vazhdimësi të rrugës që të çon në fshatin turistik të Gjinarit. Këtu mund bëhet një lidhje e llojeve të ndryshme të turizimit, si psh të turizmit natyror, me në qendër Gjinarin dhe atij religjoz, si pikë referimi, kishën e Shën Nikollës dhe Shën e Premtes. Duhet të theksojmë faktin se zhvillimi dhe promovimi i një vendi turistik, nuk mund të realizohet vetëm nga një lloj turizmi. Pra, ndërthurja e llojeve të ndryshme të turizmit, duke përfshirë turizmin malor, ku në Zonën e Shpatit kemi malin e Bukanikut, turizmin natyror, Gjinarin dhe vendet përreth tij, turizim religjioz, ku përmendim dy kishat shekullore me vlera të gjithëanshme, bëjnë të mundur edhe nxjerrjen në pah jo vetëm të vlerave të kishës së Shën Kollt dhe Shën e Premtes, por edhe të të gjithë vlerave të shumta që përcjell në vetvete kjo Zonë me tradita dhe zakone të trasmetuara brez pas brezi deri në ditët e sotme, pavarsisht periudhave dhe vështirësive që ka kaluar.

Si përfundim, Zona e Shpatit mbart dhe transmeton vlera të trashëgimisë kuturore, materiale dhe shpirtërore. Kjo dëshmohet nëpërmjet dy përsonaliteteve të lartpërendur që kanë lënë gjurmë në këtë zonë, kishave përkatëse me karakteristika dhe veçanti unike, të cilat i shërbejnë drejtpërdrejtë promovimit dhe arsyes pse duhen vizituar ato kisha, si edhe nëpërmjet fenomenit të kriptokrishtërimit. Pra, Krahina e Shpatit ofron histori e cila trashëgohet dhe përcillet tek të tjerët, vlera artistike dhe arkitekturore, që ruhen dhe që shërbejnë si pikë kyçe për tërheqjen e vizitorëve, përkatësinë fatare e cili është trashëguar deri në ditët e sotme nga një brez në tjetrin dhe mundësi e potencial zhvillimi duke marr parasysh të gjitha ato që përmban si zonë.


[1]M. Zeqo, Mes laokontit dhe Krishtit, Medaur, Tiranë 2000, faqe 18- 19.

[2]Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr.7, faqe 52.

[3]A. Lukani, ARTI KISHTAR NË SHQIPËRI: Sipas mbishkrimeve të kishave, Trifon Xhagjika, Tiranë, 2014, 35.

[4]Mbrojtja e monumenteve, Botim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 25; Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 68.

[5]Th. Popa, Piktorët mesjetarë shqiptarë, 8 Nëntori, Tiranë, 1961, 44-46.

[6]V. Puzanova, MBI ARTIN BIZANTIN DHE POST-BIZANTIN SHQIPTAR, Shtëpia botuese 55, Tiranë, 2005, faqe 26.

[7]Ibid, faqe 26.

[8]A. Lukani, ARTI KISHTAR NË SHQIPËRI: Sipas mbishkrimeve të kishave, Trifon Xhagjika, Tiranë, 2014, 34.

[9]Mbrojtja e monumenteve, Botimi Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 25;Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 68.

[10]V. Puzanova, Mbi artin bizantin dhe post-bizantin shqiptar, 55, Tiranë 2005, faqe 26-27.

Σχολιάστε