Briken Gjika, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz

Pamje nga e kremtja e festës së Shën Joan Vladimirit (3 Qershor 2020)
(Marrë nga faqja e Facebook-ut të Manastirit të Shën Joan Vladimirit)
Panairi i Shën Joan Vladimirit është një ngjarje e përvitshme festive, e cila zhvillohet në fshatin Shijon të Elbasanit në datat 3-4 qershor. Kjo traditë e nderimit të këtij shenjtori e ka pikënisjen që në një periudhë të hershme. Me shumë gjasa, kjo lidhet me gojëdhënën në të cilën na tregohet se ishte vetë shenjti i cili ndërtoi një kishëz në territorin ku sot gjendet manastiri kushtuar atij. Detaje të rëndësishme gjejmë edhe tek pikturat e arkës së lipsaneve të tij, ku na paraqiten pesë skena të rëndësishme nga jeta e shenjtorit. Në mënyrë të veçantë skena numër 2 dhe ajo numër 4 na japin një panoramë të qartë që me shumë mundësi në territorin ku sot ndodhet manastiri i shenjtit, ka pasur një jetë religjioze të hershme. Në skenën numër 2 paraqitet shenjti i hipur mbi një kalë, duke mbajtur kokën e tij të prerë në dorë. Po aty dallohet çasti ku ai pritet me nderime nga episkopi, klerikë e besimtarë[1]. Skena numër 4 na paraqet momentin kur episkopi dhe klerikët zbresin trupin e shenjtit nga kali dhe e varrosin me nderim[2]. Nëpërmjet këtyre detajeve të sipërpërmendura mund të arrijmë në përfundimin se nderimi i këtij shenjtori në formë të organizuar me klerikë dhe besimtarë daton të paktën që në periudhën kur eshtrat e tij zhvendosen nga Durrësi për në Elbasan nga princi Karl Topia.


Në vitet më pas, nderimi i Shën Joan Vladimirit vazhdon të ruhet me të njëjtin intensitet në manastirin kushtuar emrit të tij. Nuk kemi shumë të dhëna se si kremtohej panairi që nga shek.XV-XVIII që përkon edhe me shekujt e islamizimit masiv të popullsisë shqiptare. Të dhëna mbi panairin kushtuar shenjtorit na vijnë në shek.XIX nga studiuesi dhe albanologu Johan Georg Von Hahn. Ai na rrëfen se panairi kryhej dy herë në vit në datat 22 maj dhe 4 qershor dhe mësojmë se ky aktivitet zgjaste 3 ditë. Pelegrinët vinin kryesisht nga qytetet përreth. Atyre u sërvirej përpara bukë, ullinj dhe djathë. Pasi ata ishin shlodhur hidhnin një shumë të hollash të cilat mblidheshin nga kujdestari i manastirit[3]. Nga disa të dhëna të tjera mësojmë që panairi kushtuar shenjtorit zgjaste 7 ditë. Ky panair kishte një pjesëmarrje të madhe nga shumë qytete të Shqipërisë dhe jashtë si përshembull Tirana, Durrësi, Dibra, Korça, Berati, Struga, Ohri dhe Manastiri. Gjithashtu mësojmë se ky panair tërhiqte edhe shumë persona me sëmundje të ndryshme që vinin për të marrë shërimet e shenjtit[4]. Si një ndër panairet më të mëdhenj që është zhvilluar ndonjëherë në ambientet e këtij manastiri, mund të përmendim atë të vitit 1935 i cili mblodhi shumë përfaqësues diplomatikë nga shumë shtete ku u kapërcyen edhe kufinjtë ballkanikë. Disa nga këta përfaqësues ishin i gjithë personeli i Legatës Jugosllave, Legata Bullgare, Gjermane, Çekosllovake, Drejtori i Bankës Jugosllave etj. Në këtë të kremte kaq të madhe iu dhurua manastirit një kambanë nga Patriarku i Jugosllavisë Varnava dhe me këtë rast u mbajt një fjalim madhështor nga Kryepiskopi Imzot Visarioni[5]. Në një artikull të revistës “Predikimi” nr.49 të datës 31 maj 1935 na rrëfehet se në këtë periudhë kohore në ambientin e manastirit ka pasur 15 dhoma ku mund të flinin 100 persona[6].


Përveç aspektit spiritual të nderimit të shenjtit, ky panair shërbente si një ndër panairët më të mëdhenj të vendit tonë, ku kryhej aktivitet tregtar dhe ekonomik. Kjo lidhet edhe me periudhën e zgjatjes së tij deri në shtatë ditë, ku pas dy ditëve që i kushtoheshin tërësisht nderimit të shenjtorit, pesë ditët e tjera liheshin për të kryer një aktivitet të madh tregtimi mallrash dhe kafshësh me tregtarë që vinin nga qytetet rrotull brenda dhe jashtë vendit[7]. Kjo traditë e larmishme e cila mblidhte jo vetëm banorë nga vendi ynë por nga i gjithë rajoni i ballkanit vazhdoi deri në vitin 1964. Në këtë vit na bëhet e ditur në një dokument nga Kryepiskopi i asaj kohe Pais Vodica, i cili njofton kryetarin e Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehun se kryetari i Komunitetit Ekzekutiv të Rrethit, Miti Rapo kishte ndaluar zhvillimin e panairit të shenjtit gjatë atij viti me pretekstin për të shmangur sëmundjen e brucelozës[8].
Kjo situatë vazhdoi deri në periudhën e demokracisë në Shqipëri, ku në ditët tona panairi vazhdon të kremtohet me shumë devotshmëri. Në krahasim me kremtimet e mëparshme panairi nuk është më shtatë ditor dhe nuk përfshin më datën 22 maj. Tanimë ku panair kryhet vetëm në datat 3-4 qershor dhe fokusohet më tepër mbi shërbesën fetare që kryhet aty në nderim të shenjtorit. Përveçse tregtarëve ambulantë që vendosen jashtë ambienteve të manastirit nuk ekziston më një panair mallrash i mirëorganizuar si në vitet e mëparshme. Janë disa faktorë që kanë çuar në mosorganizimin e aktiviteteve të tilla. Një prej këtyre faktorëve ka të bëjë me mungesën e strukturave akomoduese të mjaftueshme për të pritur akoma edhe më tepër pelegrinë. Një arsye tjetër ka të bëjë me kufizimin e panairit vetëm në kryerjen e shërbesës fetare kushtuar shenjtorit.
[1] Ibid, fq. 67.
[2] Ibid, fq. 68.
[3] Johan Georg von Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit, Tiranë, 2007, fq. 233.
[4] Melsi Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 60.
[5] Ibid, fq.31.
[6] Revista Predikimi, Nr. 49, 31 maj, (1935).
[7] Atë Stavri Çipi, Histori e gojëdhëna për Shën Joan Vladimirin, Tiranë: ASD – Studio, 2016, fq. 49.
[8] Andrea Llukani, “Manastiri i Gjon Vladimirit, qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe”, Revista Albanon, 2(1), (2021), fq. 87.
