Manastiri i Shën Joan Vladimirit – Historik i shkurtër

Briken Gjika, Viti II, Master Shkencor në Turizëm Religjioz
Pamje nga pjesa e pasme e kishës së manastirit

Manastiri i Shën Joan Vladimirit gjendet në fshatin Shijon, rreth 7 km në veriperëndim larg qytetit të Elbasanit. Ky manastir lidhet ngushtimisht me figurën qëndrore të sajë Shën Joan Vladimirin, prej të cilit edhe vetë fshati ka marrë emërtimin e sotëm. Manastiri që në gjenezën e tij ka pasur një rëndësi të veçantë, jo vetëm për këtë fshat por edhe më gjerë. Ekzistojnë shumë gojëdhëna dhe histori që na rrëfejnë dhe flasin mbi mënyrën se si dhe kur u ndërtua kisha e manastirit. Sipas gojëdhënave më të hershme, na tregohet se ishte vetë shenjti i cili në çastin kur ishte duke gjuajtur në luginën e lumit Kushë, pa një shqiponjë me një kryq në qafë dhe në kujtim të kësaj ngjarjeje të hyjshme ndërtoi aty një kishëz të vogël ku ai falej 7 herë në ditë. Ekzistojnë dy versione se kujt mund ti ketë qenë kushtuar kjo kishë, ku në versionin e parë thuhet se kjo kishëz i ishte kushtuar Shën Marisë dhe në versionin e dytë thuhet se ajo i qe kushtuar Trinisë së Shenjtë[1].

Nga burimet historike që disponojmë sot, mësojmë se kisha e manastirit me emrin e Shën Joan Vladimirit, i përket periudhës së sundimit të princit Karl Topia në viset arbërore. Nga këto të dhëna mësojmë se ajo u ndërtua në vitin 1381 nga Karl Topia dhe djali i tij i parë, Gjergji[2]. Kjo gjë vërtetohet nga mbishkrimi i gurit të madh arkitra, i cili sot gjendet në muzeun historik kombëtar në të cilin shkruhet se, ai ishte ktitori i kësaj kishe dhe e rindërtoi atë në përmasa 4 herë më të mëdha pasi ishte shembur nga një tërmet i mëparshëm[3].

Pamje nga hyrja kryesore e kishës së manastirit

Rindërtimi i fundit i kishës së manatirit i përket vitit 1901, i cili erdhi si rrjedhojë e një tërmeti i cili shembi strukturën e mëparshme. Mbi portën kryesore të kishës gjendet edhe sot një mbishkrim në greqisht, në të cilin tregohet se ky rindërtim i kishës u krye në kohën e Mitropilitit të Durrësit të asaj kohe Imzot Prokopit dhe nën kujdesin dhe mbikqyrjen e Epitropit Spiridhon Xhufka[4]. Më vonë në datën 14 mars të vitit 1944, kisha e manastirit digjet e tëra nga ushtarët gjermanë. Nga ky zjarr u përfshinë konakët si edhe pjesë të tjera të kishës[5]. Restaurimi më i fundit i kishës është ai që i përket vitit 2004-2005, ku përveç rikonstruktimit të plotë të çatisë kemi edhe konsolidimin e muraturës si edhe detaje të tjera që shërbyen për ta kthyer kishën në funksion të besimtarëve[6].

Manastiri i Shën Joan Vladimirit ka pasur një rëndësi të vazhdueshme që në fillesat e tij. Në të është zhvilluar një jetë e pasur murgërore dhe ka pasur një administrim të mirëorganizuar. E gjithë kjo shprehet më së miri me faktin se në këtë manastir kanë shërbyer shumë murgj, murgesha edhe priftërinj të cilët përveçse kanë mbajtur gjallë flakën e besimit, kanë punuar dhe ruajtur edhe pronat e manastirit. Nga të dhënat historike njohim qartë se ekzistonte një strukturë e konsoliduar e pleqësisë (dhimogjerondia) ku sëbashku me Mitropolitin dhe komisionin e manastirit, ndërmerrte vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen dhe ecurinë e mirë të jetës në të[7].

Përveç aspektit që përmendëm më sipër, në këtë manastir u zhvillua edhe një traditë e larmishme e shkrimit dhe e ruajtjes së dorëshkrimeve. Manastiri ka pasur një ndër bibliotekat më të pasura të kohës dhe pas shkatërrimit të parë të Voskopojës më 1769 dhe të dytë më 1789 shumë prej këtyre dorëshkrimeve u ruajtën aty[8]. Shumë figura të shquara shqiptare punuan dhe lëvruan veprimtarinë e tyre në këtë qendër kaq të rëndësishme të kohës, ndër të cilët mund të përmendim: Papa Totasin, Dhaskal Todrin, Visarion Xhuvanin, Kostandin Kristoforidhin etj[9]. Ndër veprat që u shkruan në ambientet e këtij manastiri dhe që ruhen deri në ditët tona mund të përmendim “Anonimin e Elbasanit”, kodiku i 41-të i Beratit, përkthimi i Liturgjisë së Joan Gojartit nga Dhaskal Todri. Ka pasur edhe vepra të tjera të cilat nuk kanë arritur deri në ditët tona ndër të cilat mund të përmendim përkthimet e Dhaskal Todrit të Dhiatës së Vjetër, Dhiatës së Re, Librit të Orëve. Nga burime të tjera na thuhet gjithashtu se biblioteka ka pasur edhe shumë shkrime të tjera që nuk u ruajtën siç ishin një libër i quajtur “Nomokanon”, kodiku i dhuruesve të manastirit ku përfshihej edhe një ferman me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut etj[10]

Persa i përket lipsanit të Shën Joan Vadimirit, dimë se pas martirizimit të tij në datën 22 Maj të vitit 1015, ai u vendos në kishën “E papërlyera e Krajës” e cila gjendet në qytetin e Krajës në Mal të Zi[11]. Më vonë sipas burimeve të Robert Elsie, lipsani i tij zhvendoset në një kishë në Durrës në vitin 1215 nga trupat e despotit të Epirit Mikaeli i I-rë dhe qëndrojnë atje deri në momentin kur princi Karl Topia e zhvendos atë në shek.XIV në manastirin e Shën Joan Vladimirit në Elbasan[12]. Që nga kjo periudhë e deri në vitin 1967, vit në të cilin manastiri kthehet në një repart ushtarak nga regjimi komunist i kohës, lipsani i shenjtit ruhet me tepër shpresëtari në fshatin Shijon. Pas vitit 1967 e deri në vitin 1997 arka me lipsane ruhet në kishën e Shën Marisë në lagjen Kala të Elbasanit. Nga 1997 e deri në ditët tona eshtrat e shenjtorit ruhen në kishëzën e kryepeshkopatës së Hirshme të Tiranës dhe sillen vetëm një herë në vit në fshatin Shijon kur kryhet panairi që i kushtohet shenjtit më datë 3-4 qershor[13]. Sot në manastirin e Shën Joan Vladimirit gjendet një pjesë e lipsanit të tij, i cili pasi u gjet në fondin e Muzeut Historik Kombëtar, u rikthye sërish në manastir në datën 12 Prill të vitit 2021.


[1]Edmond Malaj, “Kulti i Shën Gjon Vladimirit tek Shqiptarët sot”, Tivari me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve, (2015), fq. 468.

[2] Aleksandër Meksi, Arkitektura Mesjetare në Shqipëri, Tiranë: Shtëpia botuese “8 Nëntori”, 1983, fq. 114.

[3] Melsi  Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 14-15.

[4] Ibid, fq.26

[5] Ibid, fq.29

[6] Restaurimi i monumenteve të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, 2005, fq. 33.

[7] Kujtim Bevapi, Antropologjia e besimeve fetare në qytetin e Elbasanit dhe krahinat e tij, Tiranë: Onufri, 2020, fq. 42.

[8] Atë Stavri Çipi, Histori e gojëdhëna për Shën Joan Vladimirin, Tiranë: ASD – Studio, 2016, fq. 37-38.

[9] Kujtim Bevapi, Antropologjia e besimeve fetare në qytetin e Elbasanit dhe krahinat e tij, Tiranë: Onufri, 2020, fq. 37.

[10] Melsi  Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 51-54.

[11] Ibid, fq. 66.

[12] Robert Elsie, A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Culture, New York: New York University Press, 2001, fq. 139.

[13] Melsi  Labi, Gjon Vladimiri Mbreti që u bë shenjt, Tiranë: Muzeu Historik Kombëtar, 2015, fq. 71.

Σχολιάστε